Edhe presidenti gjerman: TIRANA është qytet europian!

(Ky editorial është edhe si video, që mbetet më i plotë )

Nga Daniel Muçaku, kryeredaktor i KOHA JONE-

Tirana është qytet metropol ku ndodhet me shumë se gjysma e popullsisë së Shqipërisë. Përveçse si kryeqytet Tirana mbetet edhe kryeqendra ekonomike e vendit.

Në Tiranë përplasen interesa të ndryshme, të cilat kanë shtrirje kombëtare. Në Tiranë vendoset edhe fati i krejt pjesës tjetër të popullsisë dhe jo vetëm se ka zyrat qeveria qendrore, por janë shumë interesa të ngërthyera të cilat gjallërojnë apo pakësojnë gjakun për ekonominë shqiptare.

Tirana është si zemra e njeriut ku nga rrahja e saj furnizohen kapilarët e gjakut në të gjitha bashkitë e tjera të vendit.

Ndaj Tirana ka qenë dhe mbetet qyteti ku njerëzit turren për të jetuar dhe punuar.

Por si ka qenë Tirana, realisht para 10 vitesh dhe si është rritur sot?

Kjo është një pyetje e cila merr përgjigje nisur nga këndvështrime të ndryshme politike dhe interesash private, që nuk japin tablonë e së vertetës reale.

Erion Veliaj është kryetar bashkie që po mbaron mandatin e tij të dytë dhe synon të tretin, ndërkohë që nga kampi i opozitës ka sherrnajë dhe prishje pazaresh në Primaret e PD. Evis Kokalari, e cila është një shqiptare-amerikane e nivelit të lartë dhe që nuk ja përton të thotë të vertetën e asaj që shikon dhe prek, deklaroi mbrëmë se është paravendosur se Primaret do të fitohen nga Bellind Këlliçi sepse kështu duan Berisha dhe Meta.

Ndërkohë Erion Veliaj është një politikan i sprovuar në beteja politike që nga koha e lëvizjes MJAFT dhe fitues në duele. Ai në këto zgjedhje mposht çdo kandidat politik të opozitës. I vetmi që mund ta rrezikojë mbetet mjeku Ilir Alimehmeti.

Por a është Tirana një qytet i mirë, i jetueshëm dhe europian?

Kjo pyetje, siç thamë merr përgjigje në varësi të interesave politike, të cilat përherë nuk thonë të vertetën sepse fshihen pazare në përgjigjet e tyre.

Por Tirana ka ndryshuar shumë në vitet e fundit. Tirana mirëpriti afro 100 mijë tifozë të liges europiane vitin e kaluar, duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë nëpër Europë dhe botë si një qytet i kulturuar dhe modern.

Për Tiranën e re dhe europiane foli është presidenti gjerman dje në parlamentin shqiptar ku tha se kemi një Tiranë krejt tjetër, dhe tërësisht europiane. Presidenti gjerman nuk flet politikisht dhe as në favor të Erion Veliajt se ia kërkoi pushteti!

Ai tha atë që përjetoi dhe pa me sytë e tijë sikurse ka patur edhe informacione zyrtare nga shteti gjerman për një Tiranë europiane.

Natyrisht që ka polemika të forta për mënyrën e ndërtimit në qendër të kryeqytetit, por si rregull turizmi, sidomos ai elitar, kërkon mu në qendër hotele dhe qëndrim, prandaj hotelet si kulla ngjajnë paksa në miniaturë me Manhatten në New York.

Ky është një debat që nuk do të mbarojë asnjëherë, por ato po tërheqin mijëra turistë të huaj.

Tirana po mbaron Unazën e Madhe që çliron trafikun dhe rrit lëvizjen e njerëzve me makina. Tirana po zgjerohet e investohet edhe në periferi.

Tirana po ndryshon, realisht, ndonëse ka akoma punë ndër vitet e ardhshme. Nuk duhet ndaluar punët dhe vrapi për këtë Tiranë që po zhvillohet.

Nëse duhet për ta sharë politikisht, po e shajmë Tiranën, porse më mirë se sa Presidenti gjerman nuk mund ta përkufizojmë kryeqytetin tonë. Ai tha: Tirana është krejtësisht qytet europian.

Me tepër nuk mund të themi!

SHKARKO APP