Edi Rama si përherë: Fajin e ka Europa për Negociatat!

Nga Mili Xhani

Kryeministri Edi Rama ka gjetur gënjeshtrën e radhës për dështimin e negociatave me BE. I pyetur nga gazetarët për veton që ka vendosur Holanda kundër mbajtjes së konferencës së parë ndërqveveritare Shqipëri-BE, kryeministri deklaroi se kjo është një “çështje e politikës së brendshme në Holandë”. Sipas tij, në Holandë mbahen zgjedhjet në muajin mars dhe partitë politike nuk duan të rrezikojnë me zgjerimin e BE dhe për pasojë bllokojnë Shqipërinë. Por justifikimi është i njëjtë me atë të vitit 2019, kur Edi Rama tha se fajin për bllokimin e negociatave e kishte Franca dhe Presidenti Emanuel Macron. Në vitin 2018 e kishte Danimarka me ndonjë vend tjetër. Sa herë që afrohet dështimi me procesin e integrimit, kryeministri përgatit një skenar për të justifikuar paaftësinë e qeverisë së tij. Kështu po ndodh dhe këtë herë, kur pritet që në datat 8-9 nëntor Këshilli Europian të marrë një vendim për konferencën e parë.
Logjika e mazhorancës për të justifikuar dështimin është fyese për inteligjencën e shqiptarëve. Nëse do t’i jepnim të drejtë kreut të qeverisë për “çështjet e brendshme të BE”, atëherë Edi Rama duhet të na shpjegojë edhe arsyen se përse Holanda i vë veto Shqipërisë dhe jo Maqedonisë. Nëse Holanda është kundër zgjerimit, qeveria bashkë me Tiranën do të kishte rrëzuar edhe Shkupin. Në vendimin e qeverisë holandeze nuk ka asnjë kritikë për reformat në Maqedoni, por ka një mal me vërejtje, ankesa dhe kritika për punën Shqipërinë.
Bllokimi i negociatave, nëse do të ndodhë realisht, është një lajm i keq për Shqipërinë dhe as qytetarët dhe opozita nuk e shohin si një plus për aksionin e tyre. Por ndëshkimi i Holandës, realisht nuk është ndaj shqiptarëve, por ndaj qeverisë “Rama”. Në muajin mars kur BE vendosi çeljen e negociatave, caktoi kushtin që mbledhja e parë ndërqeveritare, pra nisja zyrtare e negociatave, të bëhet pasi të jenë plotësuar 15 kushtet për qeverinë. Sot jemi në fazën kur kushtet jo vetëm nuk janë plotësuar, por me arrogancë dhe papërgjegjshmëri qeveria ka shtuar dhe kushte të tjera. Në qëndrimin e Holandës theksohet se vendi nuk ka ngritur ende Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Thuhet se qeveria po miraton një ligj të debatueshëm kundër lirisë së mediave. Gjithashtu, theksohet se reforma zgjedhore nuk u miratua me konsensus dhe dialogu politik mes palëve nuk ekziston. Këto janë arsyet kryesore se përse qëndrimi i Holandës, deri më tani është kundër. Edi Rama thotë se kjo është politike e brendshme e Hagës, por Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë dhe dështimi me reformën zgjedhore janë çështje të qeverisë së tij dhe jo të Holandës.
Këto kritika që sa vijnë dhe bëhen më të forta ndaj qeverisë “Rama” , nuk janë shprehur vetëm nga Holanda, por edhe nga Gjermania, Spanja dhe Danimarka. Të njëjtat shtete nuk kanë vërejtje për Maqedoninë, por shohin si problem Shqipërinë. Është naive të pretendosh se gjithë Bashkimi Europian po ndëshkon Shqipërinë sepse ka probleme brenda vetes. Nëse do të ishte kështu, nuk do të na kishin pranuar fare për negociatat.
Problemi me negociatat është shumë më i thjeshtë dhe nuk ka nevojë për të shpallur armiq dhe shtete europiane që janë anti-shqiptare. Problemi i bllokimit të integrimit është qeveria dhe dështimet nuk fshihen më pas fajtorëve imagjinarë. Është fakt se qeveria “Rama” nuk ka plotësuar 15 kushtet, ajo ka përkeqësuar situatën në vend. Korrupsioni, krimi i organizuar dhe shkatërrimi i konsensusit politik janë bërë me vetëdije nga kjo qeveri. Ndaj nëse BE mbyll derën këtë e bën për qeverinë “Rama” dhe jo për shqiptarët.
Ndaj me 25 prill shqiptarwt duhet tw jenw tw kujdesshwm kur tw votojnw!
Mili Xhani

SHKARKO APP