Edi Rama të firmosë marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin
Edi Rama të firmosë marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin
Nga Daniel Muçaku-
Përveç luftës në Ukrainë nga Rusia, ku Europa dhe Bota janë tronditur, ka mundësi që edhe Kina të fillojë pushtimin e ishullit të Tajvanit në jug të Kinës. Tajvani është një shtet demokratik dhe krejtësisht proamerikan.
Por në Uashingtonin zyrtar ka shqetësime të forta se mundet që Kina të sulmojë Tajvanin, ndaj luftanije të shumta amerikane patrullojnë përreth ishullit.
Kina asnjëherë nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit të Tajvanit, por duke patur frikën e SHBA asnjëherë Pekini zyrtar nuk ka guxuar ti afrohet Tajvanit.
Duke përfituar nga lufta në Ukrainë e ku SHBA është e angazhuar fort dhe seriozisht kundër Rusisë, informacionet sekrete amerikane raportojnë se Kina do ta pushtojë ishullin.
Por kjo do të sillte një luftë të tretë botërore, sepse do të hynte në lojë edhe Japonia, Koreja e Jugut dhe krejt Paqësori, ku SHBA ka baza të mëdha ushtarake. Por natyrisht edhe NATO.
Gjatë kësaj jave, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të takohet me homologun e tij kinez, në kuadër të një forumi të mbrojtjes në Singapor.
“Kina po tregohet e afërt me një vend shumë agresiv. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Kina mund të mbajë të njejtin qëndrim ndaj Tajvanit, të përdorë forcë brutale, për të arritur synimet e saj”, thotë Joseph Bosco, ish zyrtar i Pentagonit.
Kina e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe kërcënon marrjen me dhunë të tij.
Presidenti Biden premtoi se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë Tajvanin, nëse Kina e sulmon, gjë që ka shtuar frikën për një konflikt superfuqish, shkruan sot Zëri i Amerikës.
Tajvani do të jetë në qendër të takimit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe homologut të tij kinez në Singapor këtë javë, megjithëse analistët nuk presin që ky takim të sjellë ndonjë përparim.
“Çështja e Tajvanit është ndoshta mosmarrëveshja më e madhe midis dy superfuqive”, thotë Lim Tai Ëei nga Universiteti Kombëtar i Singaporit.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shpeshtuar shfaqjet e fuqisë së tyre ushtarake në rajonin përreth Tajvanit. Shumë vende të tjera frikësohen nga mundësia e shpërthimit të një konflikti të madh mes SHBA dhe Kinës.
Ndërkohë Kina ka rritur investimet në Serbi, duke e furnizuar edhe me armë të sofistikuara, gjë që në rast konflikti botëror Beogradi do të shikojë nga Moska dhe Pekini dhe jo më nga Brukseli apo Uashingtoni.
Investimet kineze në Shqipëri janë të përmasave të vogla, ndërkohë që Tajvani i është ofruar Tiranës zyrtare për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, duke e konvertuar këtë edhe me investime mbi 3 miliardë dollarë në vitet e para.
Duke njohur pragmatizmin diplomatik dhe ekonomik, gjithnjë nëse Kina sulmon ishullin e Tajvanit, duhet që qeveria shqiptare të firmosë mënjëherë marrdhëniet diplomatike me këtë shtet aziatik, që njihet si një nga pesë dragonjtë ekonomikë të Azisë, e ku kanë investuar kompanitë me të mëdha amerikane, britanike, franceze, gjermane etj.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Tajvanin do të ishte edhe një gjest pro SHBA në këtë konflikt të madh botëror mes SHBA dhe Kinës.
Disa herë qeveritarët shqiptarë, por edhe të opozitës kanë deklaruar se janë përkrah SHBA në çdo çast, sepse vetë Amerika ka mbrojtur Shqipërinë dhe shqiptarët, duke qenë siguria shqiptare në Botë.
Ndaj qeveria shqiptare bën mirë që ka filluar takimet e fshehta me qeverinë e Tajvanit, por nuk ka pse të rrijë fshehur, ndaj të dalë hapur pro aleatit strategjik të Amerikës në Azi, që është shteti-ishull i Tajvanit.
Nuk duhet harruar se sot Vatikani, kryeqendra botërore e katolicizmit, ka marrëdhënie të ngushta dhe diplomatike me shtetin e Tajvanit.
Natyrisht që nuk ka pse të prishen marrëdhëniet diplomatike me Kinën, por shteti shqiptar duhet të shikojë interesat e tij në tablonë gjeopolitike të Botës, aq me tepër tani që jemi edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Shqipëria ka nevojë për zhvillim, fonde të mëdha investimesh dhe aleancë me SHBA, ndaj të vendosesh marrëdhënie diplomatike me Tajvanin është një shenjë e mirë e qeverisë Rama, pasi do të rritet ekonomia në Shqipëri, pasi Tajvani fillon e derdh miliardat e dollarëve në vendin tonë.
Tani është koha të udhëtojë drejt Taipeit, kryeqytetit të Tajvanit, kryeministri shqiptar Edi Rama.