Eurot e tjera të kujt janë, nga ato që u gjetën te pastruesja?!
(Ky shkrim është edhe video, kliko ta shikosh)
Eurot e tjera të kujt janë?!
Vjedhja e afro 500 mijë eurove nga një pastruese e zakontë ndaj një zyrtare të qeverisë po bën namin në rrjetet sociale.
Mësohet se sapo doli lajmi i pastrueses në fjalë shumica e qeveritarëve dhe zyrtarëve që kanë miliona euro nëpër duar apo nga firmat e tyre, i kanë ndërruar pastrueset e tyre nga frika se mos iu ndodh siç bëri Rozeta Dobi dhe djali i saj. Bile kanë ndërruar bravat e tyre që të mos kenë mundësinë t’ju futen me celesa kopilë.
E gjithë vemendja e opinionit publik pas njohjes me bëmat e pastrueses Robin Hud-e, që grabiste shtëpitë e zyrtarëve të shtetit, është fokusuar tek personi i Alda Klosit. Në fakt, ish shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt, që është marrë me koncesionet e inceneratorëve dhe me projektet e rindërtimit është targeti perfekt për të ngritur pyetjen: Pse një nënpunëse e lartë qeveritare duhet të mbajë para të fshehura në shtëpi?
Dhe kështu, kjo grua e divorcuar pak kohë më parë, që ishte zhvendosur bashkë me të bijën në një banesë me qera në “rrugën e kosovarëve” është shndëruar në tabelën e qitjes të një mase të gjërë të opinionit, që ndihet e grabitur dhe e nëpërkëmbur nga nëntë vite pushteti sfilitës të rilindjes. Këtë ndjesi e kanë shtuar edhe më shumë rrëfimet plot gropa të vetë protagonistes Alda Klosi, që herë pohon se i ka paratë të deklaruara e herë se ato i kishte në ruajtje, në favor të xhaxhait që gjendet në SHBA.
Por, ndonëse çdo lloj hetimi dhe gjurmimi të 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve të Alda Klosit, i duhet shkuar deri në fund, sepse si nënpunëse e shtetit ajo nuk mund të mbajë cash në banesë më tepër se 1.5 milionë lekë të reja, duket se kjo është hallka më e vogël e këtij skandali. Ashtu sikurse deklaroi fillimisht policia në banesën e të akuzuarës Rozeta Dobi u gjetën diçka më shumë se 400 mijë euro. Nga këto vetëm më pak se 1/3 ishin të Alda Klosit. Të tjerat i përkasin familjeve që po ashtu janë grabitur nga pastruesja Robin Hude.
Por, ashtu sikurse është bërë e ditur ajo punonte në shtëpi të tjera zyrtarësh të lartë dhe për ata nuk flet askush. Këtë të hënë, përpara gjykatës, ku po zhvillohej seanca e masës së arrestit për të dy pjestarët e familjes Dobi, nënë e bir, as nuk u përmendën fare pronarët e mistershëm të afro 300 mijë eurove të tjera.
Çdo mendje normale e kupton se nuk bëhet fjalë për njerëz të thjeshtë. Një familje e zakonshme mund të mbajë në shtëpi para xhepi, qoftë edhe disa mijëra euro, po vetëm ata që fshehin paratë e pista mund ta pasurojnë një pastruese me 400 e ca mijë euro. Ka dhe një pyetje tjetër: po nëse e mësuan që Rozeta Dobi kishte dorë, ata që u mungonin ato paratë e tjera në shtëpi, pse nuk u bënë të gjallë? Apo mos vallë kishin më shumë për të humbur se sa për të fituar duke rikuperuar disa dhjetra mijëra euro?
Dalja e emrave të tyre ka shumë rëndësi. Se ajo dëshmon se rasti i Alda Klosit që “ruante paratë e xhaxhait”, nuk është i veçuar, por se mund të ketë edhe të tjerë si puna e saj që paratë e padeklaruara i mbajnë të fshehura.
Nga Zvaroski e Valentino, lista e plotë e sendeve të vjedhura nga pastruesja dhe i biri
Pse po heshtet për këtë? Apo mos vallë se kjo është një dëshmi e pastër e metastazave të korrupsionit? Apo mos vallë se ajo tregon qëllimin e vërtetë se pse po kërkohet me ngulm një amnisti fiskale?
Policia dhe Prokuroria që po ruajnë me fanatizëm identitetin e të tjerëve që u grabitën nga Dobët nënë e bir, përpara se të gëzohen me triumfin e kapjes të dy hajdutëve ordinerë, duhet të preokupohen për ti bërë ata të penduar dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë. Kjo çështje mund të quhet e zbardhur vetëm kur të dëshmohen me emra dhe mbiemra se cilët janë ata që mbajnë poshtë dyshekut, paratë e ryshfeteve, tenderave dhe licensave.
Burime të besuara tregojnë se Rozeta Dobit dhe të birit iu është premtuar lirim me kushtin që të mos tregojnë emrat e tjerë se ku i kanë vjedhur qindra mijëra euro.
Ndërkohë kryeministri Rama shkruan sot pas gjithë kësaj zhurme të madhe.
Ja postimi i tij:
“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!
E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!
Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”- përfundon kryeministri.
Por ky hetim duhet të zbardhet para publikut, pasi dënimi për nënë e bir duhet bërë, por sëpari duhet të gjenden dhe dënohen zyrtarët e lartë që fshehin qindra mijëra cash në shtëpi, të cilat janë para korrupsioni.
SPAK-u duhet ta marrë dosjen e jo prokuroria e Tiranës, pasi do të dalin një numër zyrtarësh zinxhir në këtë vjedhje , por edhe në vjedhje të tjera.
Rozeta Dobi vetëm sa zbuloi një petë lakrori nga korrupsioni gjigand në shtet