Fredi Beleri, asnjë shans që të betohet si kryebashkiak
(Ky editorial mund të shikohet më i plotë si video ndaj kliko ta shikoni)
Fati i kryebashkiakut në burg, Fredi Belerit, duket hapur se është vendosur, pra ai nuk do të lejohet të betohet dhe kështu do të kemi zgjedhje të reja për Himarën.
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar çfarë do të bëhet me çështjen “Beleri” në një intervistë për median greke “Kathimerini”, me gazetarin helen, Pavlos Papadhopulos.
Pas kontaktit të drejtpërdrejtë të Ramës me gazetarin grek, i cili pak ditë më parë kishte bërë një analizë se përse Edi Rama duhet të lejojë të betohet si kryebashkiak Fredi Beleri, u publikua intervista e realizuar në platformën Zoom.
Ndër të tjera Rama shprehet se nuk e merr si personale mungesën e ftesës nga homologu Mitsotakis për darkën joformale të liderëve të Ballkanit para disa ditësh në Athinë, megjithëse shprehet se nuk do vepronte në të njëjtën mënyrë si kryeministri grek.
Sa i takon rastit “Beleri”, Rama shprehet se gjatë fushatës mund të ketë thënë disa gjëra për të cilat nuk ndihet krenar, duke iu referuar disa prej ofendimeve me të cilat i është drejtuar Belerit.
“Nëse kryebashkiaku i zgjedhur nuk shfaqet pas 90 ditësh të betohet, atëherë qeveria duhet ta çlirojë nga detyra dhe të vendosë një kryebashkiak teknik deri sa të realizohen zgjedhjet e reja, që do të shpallen nga presidenti. U kërkova avokatëve të mi të shqyrtojnë çështjen dhe nuk e di rezultatin. Por më duket se ky rast është i veçantë, nuk ka precedent”, shprehet Rama më tej sa i përket të ardhmes së bashkisë së Himarës.
Ky rast po ashpërson marrëdhëniet me Greqinë, sepse kryeministri grek e ka vendosur në krye të agjendës së tij ndërkombëtare, pasi e quan sfidë nga pala shqiptare e sidomos nga Edi Rama. Ndërkohë po të lexosh mes rrjeshtave të intervistës së kryeministrit shqiptar duket hapur se Fredi Beleri nuk do të jetë kryebashkiak në Himarë.
Kjo e ngre përplasjen mes dy shteteve në nivel europian, gjë të cilën Edi Rama e pret me pasion të madh që të jetë lajm kryesor në mediat e BE por edhe me tej, sepse e njeh mirë artin e të folurit dhe debatit. Me Kushtetutë presidenti Republikës do të shpall zgjedhjet e reja në Himarë të cilat mund të jenë diku nga mesi i muajit nentor të këtij viti. Por burime të besueshme tregojnë se PBDNJ e Vangel Dules dhe Berishës përsëri do të kandidojnë Fredi Belerin në zgjedhjet e parakohshme. Kjo do të rrisë përplasjen e Ramës me palën greke. Me ligj dhe Kushtetutë Fredi Beleri nuk është dënuar me vendim të formës së prerë që të mos rikandidojë në Himarë, ndaj prapë ai do të jetë përballë pushtetit. Do të kemi fushatë epokale, sepse edhe kryeministri grek do të vijë personalisht në fushatë në Himarë, sikurse edhe kryeministri Edi Rama. Pala greke nuk do të lerë emigrant shqiptar që është votues në Himarë pa e sjellë me autobuz që të votojnë Fredi Belerin.
E gjitha kjo do të sjellë përplasje mes dy kryeministrave, një shqiptar dhe një grek, mu në tokën shqiptare, të cilën grekët thonë se është helene. Fronti do të jetë aq i madh kundër kandidatit socialist sa Berisha do të humbë shumë pikë në elektoratin shqiptar nëse e mbështet prapë Belerin duke dalë në krah të kryeministrit grek, gjë të cilën mezi e pret Edi Rama.
Sido të jetë Fredi Beleri, edhe në burg, është kthyer në tabelë ku gjuajnë të gjithë mbi të, dikush që ta largojë nga zyra e kryebashkiakut dhe të tjerë që me kokën e tij të bëjnë propogandë nacionaliste greke në Himarën e cila ka treguar në shekuj se mbetet shqiptare me shpirt dhe zemër.
Ndaj Edi Rama mezi i pret këto zgjedhje të reja në Himarë.