Herion Mesi: Saliu foli, Luli po hesht!

Nga Herion Mesi-

Sikur të mos ndodhte ajo që ndodhi, pra që sekretari amerikan i shtetit dënoi publikisht dhe politikisht Sali Berishën, nuk do ta merrnim vesh se çka ndodhur realisht në selinë e PD-së prej Lulzim Bashës.

Berisha mbrëmë te Blendi Fevziu dhe pak më përpara në konferencën e shtypit tha disa gjëra që hamendësoheshin në publik dhe në PD, por asnjëri nuk jepte një përgjigje të saktë.

Ish-lideri historik i PD-së tha prerë se:

Së pari çadra e PD-së para zgjedhjeve të vitit 2017 ishte ide dhe vendim i Lulzim Bashës.

Së dyti, vendimi për djegien e mandatëve të deputetit ishte krejtësisht i Lulzim Bashës.

Së treti mos futja në zgjedhjet vendore të vitit 2019 ishte kryekëput i Lulzim Bashës.

Si dhe la të kuptojë se futja në zgjedhje me dy koalicione ishte gabim.

Pas këtyre pohimëve për herë të parë të ish-liderit të demokratëve, Berisha, lindin disa pikëpyetje publike ndaj kreut aktual të PD-së Lulzim Basha.

Nëse vendimet janë kryekëput të Bashës (pasi Berisha e largoi veten nga këto veprime) a mban njeri përgjegjsi që demokratët mbeten prapë në opozitë?

A ishte gafë lënia e fushës në favor të Edi Ramës që tash tre vite bëri çfarë deshi me parlamentin, qeverinë vendore dhe krejt pushtetet?

Mund të bëhet edhe një pyetje, por mund të jetë pak e rëndë si pyetje: A ishte kjo pjesë e lojës për t’ia lenë Edi Ramës të gjitha?!

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Berisha është në betejë jetë a vdekje, ku luftohet mes dinjitetit personal por edhe atij demokrat që kanë besuar 30 vite te Berisha. E ndërkohë duket se PD-ja po e braktis ish-liderin historik, duke e lenë në fatin e tij të “thertores amerikane”, e cila do jetë e tmerrshme.

Deklarata e PD-së, pra e kreut të selisë blu ishte flu, ishte as mish e as peshk. Nëse Basha ka bindjen se Berisha ka faj duhet ta flakë jashtë radhëve të grupit të saj parlamentar. Nëse selia blu dhe Basha janë të bindur dhe besojnë të ish-lideri, duhet të jenë më të qartë në mbrojtje të tij, që siç deklaroi Berisha se është gënjyer nga amerikanët.

Kur njeriu beson në diçka dhe nuk ka asnjë faj lufton edhe kundër çdo të madhi, sepse e drejta fiton.

Por Lulzim Basha ka nevojë të na shpjegohet se kush e bindi për ato veprime deçizive e të rënda për PD, ndërkohë që Berisha mohoi prerë në këto vendimmarrje drastike të partisë kryesore opozitare, e cila ja dha Ramës dhe një mandat tjetër.

Ndërkohë loja e kryeministrit Rama është që ish-lideri Berisha të flaket dhe të bashkëpunojë me Lulzim Bashën.

SHKARKO APP