Koha e dajakut dhe ditët e përkëdheljes!
(Ky editorial mund të shikohet më i plotë si video ndaj kliko)
Ambrozia Meta është një gazetare korrekte, profesioniste dhe mund të thuhet pa droje mbetet një gazetare që duhet admiruar për insistimin e saj për ta gjetur lajmin edhe aty ku nuk duket!
Sot është bërë virale një video sikur kryeministri Rama e ka shtyrë, dhunuar etj.
Për të qenë realist ajo që kemi parë nuk konsiderohet dhunë, por një zgjatje dore si përkedhelje e cila prapë nuk kishte pse bëhej nga kryeministri.
Sapo kjo video u përhap si me magji ndër rrjetet sociale plasen deklaratat e shoqatave dhe politikanëve se gjoja dhuna e Edi Rames duhet dënuar pasi ka dhunuar Ambrozia Metën!
Duhet të jemi realist se kjo nuk është asgjë tjetër veçse një mënyrë e kryeministrit për të komunikuar me gazetarët duke i rrahur shpatullat Abrozias, për ti thenë e di se e ke porosi nga Berisha.
Natyrisht që kryeministri Rama ka menyra ironike apo batuta ndaj gazetarëve, të cilat duhet ti kursejë, edhe kur synon të shprehë mos aprovimin me pyetjet që nuk i pëlqejnë. Kryeministri duhet të vetpërmbahet kur ndonje pyetje i prish humorin, por në rastin në fjalë mund të themi me keqardhje se është një dhunë e pandodhur, të pakten dhunë fizike siç duan ta keqinterpretojnë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar vetë Edi Rama.
Ai thotë se “Të kërkoj falje?! Të kërkoj falje pas një gënjeshtre krejtësisht të neveritshme, ndërsa gjithçka është në video dhe një duzinë gazetarësh dhe kameramanësh janë dëshmitarë okularë të së vërtetës së thjeshtë se jo vetëm që s’kishte asnjë agresion, por të gjitha pyetjeve iu përgjigja me durim (pavarësisht disa ndërprerjeve jotetike) në një bisedë të zakonshme me shtypin dhe u largova pas një përshëndetje miqësore?!
Jo, nuk kam asnjë ndjesë për të kërkuar, por e hedh poshtë te gjithë karakterizimin e “liderit që ka treguar përbuzje ndaj shtypit kritik”, që thjesht nuk është e vërtetë sepse tani ka shumë vite që nuk angazhohem, në çdo lloj debati të ndezur legjitim me çdo gazetar.
Përkundrazi, unë u tregoj gazetarëve të shumtë etikë dhe ndonjëherë joetikë disponueshmërinë time të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve, me gjithë ndërprerjet e vazhdueshme gjatë përgjigjes së pyetjeve.
Na vjen keq që një “denoncim” i tillë nuk nderon vlerat e lirisë dhe as të vërtetën, por më shumë se denoncimi i një agresioni imagjinar nuk respekton viktimat e vërteta të agresioneve të pushtetit ndaj grave gazetare në mbarë botën.
Sa i përket sjelljes “së pafalshme”, si një ish-pionier i shtypit të lirë në vendin tim kur fjala ime e lirë rrezikoi jetën time, ndihem plotësisht i autorizuar të them se organizatat e shtypit duhet të kujdesen për të mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë dhe integritetit gazetaresk jo vetëm kur kërcënohen nga pushteti, por edhe kur minohen nga anëtarët e komunitetit të shtypit. Përndryshe, shoqëritë tona demokratike janë vërtet në telashe”- shkruan Kryeministri.
Zhurma që po bëhet sot është jashtë logjikes së realitetit.
Edi Rama duhet kritikuar për shumë gjera në raport me median, por jo në këtë rast pasi bëhemi te pabesueshëm edhe në raport me vetveten.
Nuk duhet të harrojmë se dhunë fizike dhe tmerr ishte koha e Berishes si President ku gazetarët rriheshin me dajak, kur arrestoheshin dhe burgoseshin, kur digjej redaksia e gazetës më të madhe shqiptare “KOHA JONE” me 3 mars 1997, kur vendosej tritol te shtëpia e gazetarëve kundër pushtetit, kur rrethohej me polici e shikas redaksia e medias së parë të pavarur.
Kur rrihej gazetari Mero Baze apo një mori gazetaresh të tjerë.
Edhe vetë Edi Rama u rrah për vdekje nga pushteti i PD me leva në kokë vetëm se botoi shkrime në gazetën “ KOHA JONE” kunder Berishës dhe pushtetit te kohes së PD.
U masakrua gazetari ZAMIR DULE në qelitë e policisë në vitet e Berishës.
Natyrisht që jemi në kohë digjitale dhe nuk duhet kurrsesi te ketë presion ndaj medias.
Nuk duhet që pushteti dhe mediat të jenë në simbiozë për interesa kullash apo hotele turistikë, siç po ndodh.
Nuk duhet që kryeministri Rama te josh me interesa biznesi mediat kryesore.
Por në rastin e sotem po bëhet një zhurmë pa sens.
Nëse duam ta bëjmë mizen buall e bëjmë si të duam, por nuk duhet se nuk jemi te besueshëm.
Ambrozia Meta është ajo që thamë në fillim te editorialit. Ajo edhe vetë e di që nuk u dhunua fizikisht.
Sot u bë zhurmë e kotë sepse e donte politika e ditës për të sulmuar Edi Ramën.
Kryeministrin hajdeni ta rrezojmë, por jo kështu sepse nuk jemi të besueshëm.