Kujdes o Albin Kurti!
(Ky editorial mund të shikohet më i plotë si video)
Situata në Kosovë nuk duket se ka një zgjidhje të momentit. SHBA dhe BE janë në një fjalë: duan zgjedhje të reja në katër komunat në veri të Kosovës. Por nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti, ndonëse deklarojnë se janë dakort, por në thelb e dijnë shumë mirë se me këto zgjedhje të reja praktikisht të katër komunat shqiptare me shumicë serbe , do ti humbi përfundimisht Republika e Kosovës.
Sot u fut në lojë publikisht edhe kryeministri Edi Rama që deri dje nuk ka folur, bile kur është pyetur se a është konsultuar kryeministri Kurti me Tiranën zyrtare, Edi Rama ka thënë se “JO”.
Edi Rama nxori një draft të cilin ai tha se e ka konsultuar me SHBA dhe partner të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Në fakt Albin Kurti ka bërë gabim që nuk bëri konsultime me Shqipërinë, sepse Tirana është mburoja e tij dhe shteti shqiptar mbetet garancia e Kosovës, aq me tepër se në një të ardhme të afërt, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë në një shtet. Por deri atëhere mund të kemi humbur katër komunat shqiptare në Veri të Kosovës.
Ishin Amerikanët që i kërkuan palës kosovare që “të ishte e kujdesshme dhe të mos ngutej”, por në asnjë rast SHBA nuk kërkoi që të kishte zgjedhje të reja, pasi e dinin se më pas serbët do të avanconin në kërkesa, siç është në plan nga Presidenti Vuçiç që këto komunat të kërkojnë autonomi e më pas bashkim me Serbinë.
Albin Kurti është në konflikt me palën amerikane, por edhe në raporte jo të mira me Francën dhe Gjermaninë, të cilat të lodhura nga lufta në Ukrainë, nuk duan telashe mes Kosovës dhe Serbisë.
Flitet se Uashingtoni zyrtar mund ta shpallë Albin Kurtin si “person nongrata” dhe ky do të ishte fundi politik i kryeministrit së Kosovës.
I pyetur për këtë Edi Rama tha si nëpër dhëmbë se “Nuk hyj fare në këto punë. Dhe nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë nëse janë apo nuk janë të vërteta përderisa nuk janë deklarata publike, por janë dokumente që qarkullojnë, të pakonfirmuara por as të pamohuara! Nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë”, u shpreh Edi Rama.
Me shumë diplomaci kryeministri shqiptar e paralajmëroi Albin Kurtin se po të vjen gjëma amerikane! Edhe Sali Berishës ishte pikërisht Rama që e sinjalizoi në parlament se po të vjen “NONGRATA”.
Albin Kurti mund të ketë të drejtë që insiston, por beteja me malin e lartë amerikan dhe me kodrat e thepisura europiane, duket krejt e pamundur që ai të fitojë me parimet e tij.
Kosova është shtet, por ishin SHBA që e bënë të tillë, të pavarur nga Serbia.
Ndaj Albin Kurti ndodhet vertet mes dilemës më të madhe të jetës së tij politike, por duhet të zgjedhë: Me apo kundër Amerikës?!