Kur martohen dy femra me njëra-tjetrën!

(Ky editorial mund të shikohet më i plotë si video ndaj kliko)

Kur martohen dy femra me njëra-tjetrën!

Shkruar nga Daniel Muçaku-

Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, çifti i së njëjtës gjini (që u marttuan bashkë) mbetet lajmi që trazoi Tiranën. Të veshura me fustane nuserie, ato kurorëzuan dashurinë në tarracën e bashkisë së Tiranës mbrëmjen e 19 majit, celebrim që ndodh për herë të parë në bashki. Kurorëzimi i tyre u bë nga dy pastorë britanikë.

Ky akt ceremonial ka trazuar krerët fetarë, por edhe shoqerinë shqiptare.

Kisha Ortodokse Autoqefale në një reagim, thekson se nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë.

”Në lidhje me martesën e së njëjtës gjini, kryer në Bashkinë e Tiranës, ditën e djeshme, dt. 19 maj 2024, siç jemi shprehur edhe më parë, si në deklaratën e janarit 2024, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mban të njëjtin qëndrim: Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre. Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë. E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin. Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë. Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016)”- thuhet në reagimin e kishës Ortodokse.

Ndërkohë ka reaguar edhe Myftinia e Tiranës pas ceremonisë së çiftit të së njëjtës gjini në tarracën e bashkisë së Tiranës. ”Myftinia Tiranë ka përcjellë me shqetësim aktin e pabazuar ligjërisht të një “martese” mes dy individësh të së njëjtës gjini të mbajtur në ambientet e një institucioni shtetëror. Me të njëjtin intensitet, Myftinia Tiranë, përcjell edhe shqetësimin e mijëra besimtarëve dhe qytetareve të Tiranës, të cilët ndjehen të irrituar para një akti të tillë i cili nuk përfaqëson as botëkuptimin, as fenë dhe as traditën e shqiptarëve. Zhvillimi i një procedure të tillë në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë është një veprim i rrezikshëm për të legalizuar dhe normalizuar një proces që tenton të imponohet pa dëshirë përmes shkatërrimit të familjes dhe kulturës tonë kombëtare. Ne, këshillojmë dhe u bëjmë thirrje institucioneve të jenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve të tilla duke mos u profilizuar në drejtimin e kundërt me pjesën dërrmuese të votuesve dhe taksapaguesve shqiptarë. Myftinia Tiranë, mbetet e angazhuar tërësisht dhe fuqimisht në mbështetjen dhe promovimin e vlerave të familjes si thelbi i shoqërive të krijuara nga Zoti i Lartësuar për mbarëvajtjen e njerëzimit. Po ashtu mbetet e angazhuar në promovimin e çdo akti i cili synon lartësimin moral të ndërgjegjes tonë kombëtare si dhe çdo sipërmarrjeje që çon drejt mirëqenies tonë publike materiale apo shpirtërore qoftë ajo”,-thuhet në reagimin e Myftinisë së Tiranës.

Edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka dënuar ashpër këtë akt dhe se ata që kanë veshur rrobën e kishës katolike në këtë ceremoni në bashkinë e Tiranës nuk janë priftërinjë dhe se ata kanë mashtuar publikun me atë rrobë. Ne e dënojmë ashpër ceremoninë që ka martuar dy pjestarë të së njëjtës gjini, sqaron komuniteti katolik.

Edhe publiku shqiptar në masë dërmuese e ka dënuar një akt të tillë, pasi shkatërron vlerat e familjes të krijuara ndër shekuj e shekuj.

SHKARKO APP