Ky është SPAK-u që duam, por ta ngrejë stekën më lart për arrestime!

Nga Herion Mesi-

Sot SPAK-u ka ndërmarrë një valë arrestimesh pas përgjime dhe hetime disa mujore ndaj një gjyqtare në detyrë. Arrestimi i saj, që ka liruar banditë të rrezikshëm dhe që kishte në plan lirimin e një tjetri kriminel, krijon një besim më të madh në opinionin publik te SPAK-u.

Realisht SPAK punon në kushte të vështira, pa BKH të ngritur funksionale, që ta ndihmojë në hetime; nuk ka kushte pune të mira si homologët e saj perëndimorë, pagat janë të mira për kushtet shqiptare, por akoma larg asaj që duhet. Ata duhet të kenë siguri me të lartë për jetën e tyre, sepse po prekin e duhet të prekin shumë lart në hierarkinë e pushtetit.

E megjithatë SPAK-u po lëviz, po thotë se “këtu jam, por prisni!”.

Tashmë SPAK-u duhet të ngrejë stekën e hetimeve dhe arrestimeve, më lart. Shpresojmë, jo nisur nga loja politike elektorale, SPAK-u të verë pranga mbi zyrtarë të lartë të pushtetit që firmosin e vjedhin buxhetin e shtetit, që japin PPP, koncensione, tenderime, leje ndërtimi jashtë çdo logjike dhe që kanë kriminalizuar jetën politike e publike.

Gjithsesi SPAK-u duhet përgëzuar, pasi janë njerëz që kanë hallet e tyre. Edhe nga politika që iu bën presion, por edhe nga krimi mafioz që i ka në shenjëstër.

Sot morën notën 10!

Por kur të ngrenë stekën e arrestimeve, do marrin notën 10 me yll nga publiku.

 

SHKARKO APP