LSI voton online, një risi POLITIKE

Këtë të shtunë, më 21 nëntor, anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të zhvillojnë zgjedhjet për anëtarët e Konventës Kombëtare dhe kreun e ri të partisë. Ndërsa më 5 dhjetor do të zgjidhet kryesia e re e partisë drejtuesit. Gara brenda LSI këtë herë vjen me një risi, që deri më sot nuk e ka aplikuar asnjë forcë tjetër politike në Shqipëri.
Anëtarësia LSI brenda dhe jashtë vendit, veç votimit fizik, do të ketë mundësi që të përdorë votimin online. Në historinë e zgjedhjeve partiake, kjo është hera e parë që një forcë politike mundëson votimin online të anëtarësisë së saj. Të gjithë qytetarët që janë pjesë e kësaj force politike dhe janë regjistruar me kartë anëtarësie do të mund të regjistrohen në platformën e posaçme dhe në bazë të rregullave do të votojnë sipas dëshirës për kandidatët që preferojnë.
Vendimi për votimin online është zgjidhja më e përshtatshme edhe për situatën e pandemisë në të cilën ndodhet vendi. Duke pasur mundësinë e votimit online, qytetarët do të mund të shmangin radhët e gjata dhe rrezikun e pandemisë që kërcënon gjithë shqiptarët. Votimi online është një mundësi që u jepet dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Me anë të aplikacionit të sigurt, qytetarët që jetojnë në vendet e BE, në SHBA dhe kudo tjetër, nëse janë anëtarë të LSI, mund të bëhen pjesë e zgjedhjes së ekipit drejtues të kësaj force politike.
Nga ana tjetër, me votimin online LSI i është përshtatur më së miri dhe votuesve online. Sot të rinjtë që janë në parti politike bëjnë pjesë në brezin e teknologjisë dhe komunikimit online. Ndaj në vend të teserave partiake tradicionale, LSI ka zgjedhur që ta përshtasë partinë për moshën dhe epokën dixhitale.
Votimi online nuk është e vetmja risi e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përgjatë viteve të ndryshme, LSI është e para forcë politike në Shqipëri që zbatoi parimin një anëtar – një votë. Gjithashtu, LSI është e para parti që zbatoi kuotën gjinore në masën 50 me 50 për kandidatët dhe strukturat politike. Votimi dhe numërimi online i LSI shënon hapin më të fundit, ku LSI renditet para partive të tjera kryesore në vend. Nëse forcat e tjera politike kanë vite që premtojnë këto çështje në programet e tyre, LSI i bën fakt të kryer brenda një kohe të shkurtër, duke bërë diferencën me partitë e tjera.
Procesi i votimit dhe numërimit online zhvillohet në bazë të standardeve më të zhvilluara të partive të vendeve të BE. Silva Caka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në LSI, sqaroi dje për mediat se votimi do të jetë i hapur, më datën 21 nga ora 09:00 deri në orën 18:00. Ajo theksoi se votimi online do të kryhet me anë të aplikacionit “Join LSI”. Ndërsa, veç votimit online, në degët e partisë do të funksionojë edhe votimi tradicional. Strukturat e LSI që ndjekin procesin e votimit kanë marrë masat që gjithë procedura të jetë sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë për votën dhe sipas modeleve më të mira të partive demokratike në botë.
Votimi i datës 21 nentor dhe më pas zgjedhjet për Kryesinë në datën 5 dhjetor shënojnë fazën përfundimtare të përgatitjes së LSI për zgjedhjet. Pas kësaj date, gjithë strukturat e reja të LSI, janë gati për fushatën elektorale të 25 prillit. Pas 5 dhjetorit gjithë vëmendja dhe energjitë e LSI do të jenë në fushatën elektorale përballë Rilindjes, e cila tashmë po shkon drejt një rezultati historik në numër mandatesh deputeti.

SHKARKO APP