“Luftë” guerrile në Tiranë, foto që flasin sa qindra fjalë!

Tirana në kaos. Tym, xhama të thyer, gurë dhe forca policie me gaz lotsjellës e shkopinj gome. Dhjetëra të rinj të arrestuar, si dhe mësohet se arrestime kanë vijuar edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 5 policë dhe dy qytetarë janë lënduar gjatë protestës dhe kanë marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë numri i të rinjve të lënduar dhe që nuk paraqiten në spital për mjekim, nga frika e arrestimeve është shumë më i madh.

Protesta e ditës së sotme ka shënuar përplasje të forta mes qytetarëve dhe policisë së shtetit. Qytetarët janë grupuar para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë. Mijëra qytetarë kanë hedhur sende të forta në drejtim të objekteve qeveritare. Po kështu ka patur përplasje të forta mes policisë dhe të rinjve edhe në rrugët e tjera të kryeqytetit.

Policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, autobote me ujë hedhës dhe shkopinj gome. Përplasjet u zhvendosur dhe në rrugët e tjera të Tiranës.

Protesta nisi në orën 18:00 e thirrur nga qytetarët në rrjetet sociale për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Klodian Rashës. Qytetarët kanë vendosur kazanët e plehrave si pengesë për makinat e policisë. Disa prej tyre u kanë vënë flakën. Ndërkohë forcat speciale të policisë kanë nisur patrullimet në rrugë duke ndaluar qytetarë dhe duke goditur protestuesit. Pamjet tregojnë qytetarë dhe të rinj që sulmohen nga policia me shkopinj gome dhe duke i hequr zvarrë, pasi arrestohen.

Gazi lotsjellës ndjehej kudo në qendër të Tiranës. Ndërkohë janë thyer dyert e ministrisë së Financave, e cila ndodhet në qendër të Tiranës.

E gjithë Tirana ndodhet si në një “luftë” guerile. Tym e flakë nëpër rrugët e Tiranës si dhe forca speciale që po hedhin gaz lotësjellës dhe godasin pa paralajmërim. Qindra forca policore po ruajnë kryeministrinë dhe ministrinë e Brendshme.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj njoftoi se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Kryeministri njoftoi se e ka miratuar dorëheqjen e tij.

Protesta minutë pas minute

Ora 16:30 – Shtohen masat te ministria e Brendshme pasi është lajmëruar një tjetër protestë në orën 18:00 për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodjan Rasha. Furgonë të policisë shihen të dislokuar pranë ministrisë dhe forca të shtuara. Protesta e së mërkurës zgjati për mbi 5 orë dhe pati përplasje nga protestuesit me policinë, ndërkohë që disa policë e protestues mbetën të plagosur. Efektivët e policisë janë mobiluar me shkopinj gome dhe maska anti gaz lotsjellës. Mbi tarracën e ndërtesave të institucioneve shihen punonjës të policisë që vëzhgojnë situatën.

Ora 17:20 – Mbërrin në ambientet e ministrisë së Brendshme drejtori i sigurisë për rendin e sigurinë publike Gjovalin Lokaj. Së bashku me të është edhe zv. drejtori i Rendit i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Dhimitraq Ziu. Ndërkohë, para ministrisë kanë filluar të mblidhen protestuesit.

Ora 18:00– Nis protesta para Ministrisë së Brendshme. Para godinës ka një perimetër sigurie nga policia. Hidhen gurë dhe shashka në drejtim të godinës.

Ora 18:06 – Kanë nisur tensionet në protestë. Protestuesit janë mbledhur përpara Ministrisë së Brendshme, duke tërhequr me forcë kangjellat ndarëse dhe duke hedhur shashka.

Ora 18:15- Edi Rama njofton se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i ka dorëzuar dorëheqjen.

Ora 18:25- Ministri Sandër Lleshaj njofton në Facebook arsyet e dorëheqjes së parevokueshme.

Ora 18:30 – Protestuesit vijojnë te hedhin sende të forta drejt godinave. Ndërkohë një pjesë prej tyre janë mes bashkisë dhe ministrisë së Transportit. Po qëllojnë drejt efektivëve të policisë.

Ora 18:35 – Një grup personash janë futur brenda ministrisë së financave. Ndaj tyre janë hedhur granata tymuese.

Ora 18:45 – “Luftë” në qendër të Tiranës, policia përdor gazin lotsjellës, protestuesit gurë dhe sende të forta.

Ora 19:05 – Vijon ende protesta për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodjan Rasha në kryeqytet. Protestuesit janë duke u përballur me policinë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejt. Policia ka hedhur ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërkohë që një pjesë e protestuesve janë drejtuar te Kryeministria.

Ora 19:20 – Protestuesit zhvendosen drejt zonës së ish-Bllokut. Rrëzojnë koshat e mbeturinave dhe godasin më gurë lokalet në zonë.

Ora 19:22 – Thyhen xhamat e selisë së PS. Disa deputetë që kanë qenë në selinë e PS jane larguar menjëherë, pasi një grup ka tentuar të hyjë në hollin e selisë. Protestuesit heqin tabelat e rrugëve, thyejnë semaforët

Ora 19:23 – Policia shoqëron disa persona.

Ora 19:29 – Protestuesit djegin koshat e mbeturinave te ish-Blloku.

Ora 19:42 – Disa protestues thyejnë derën kryesore dhe futen në godinën e Ministrisë së Financave dhe nisën të godasin me shkopinj objektet brenda saj. Qëndrimi i tyre nuk zgjati shumë, pasi ata u nxorën jashtë me gaz lotsjellës. Me gurë u sulmua dhe selia e PS-së. Disa deputetë që kanë qenë në selinë e PS-së janë larguar menjëherë, pasi një grup ka tentuar të hyjë në hollin e selisë. Protestuesit hoqën tabelat përgjatë rrugës “Ibrahim Rrugova” dhe thyen semaforët.

Ora 19: 45 – Raportohet për përplasje fizike mes protestuesve dhe trupave të FNSH-së tek kryeministria.

Ora 19: 43 – Protestuesit shpërndahen me ujë dhe gaz lotsjellës.

Ora 20:05 – Policia shpërndan me ujë dhe gaz protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.

Ora 20:10 – Shoqërohen disa protestues nga policia.

Ora 20:30 – Policia shoqëron me forcë disa persona para Kuvendit. Tentuan të marrin edhe një të mitur por më pas e lanë të lirë.

Ora 08:59 – Dhuna e policisë nuk ka kursyer as gazetarët këtë mbrëmje. Gazetari i Ora News, Xhoi Malësia ka qenë duke transmetuar pamje live nga zona e “21 dhjetorit”, kur policia ka ushtruar dhunë mbi të. Edhe pse ai dëgjohet t’u thotë që është gazetar dhe ka treguar badge-in, policia nuk është ndaluar. Më herët Xhoi Malësia po raportonte se policë civilë kishin filluar arrestimet.

Ora 21:00 – RTV Ora thirrje policisë të lirojë urgjentisht gazetarin e Ora News Xhoi Malësia.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP