Mesha e parë katolike para 25 viteve
Nga Edi Rama*
Rasti e deshi që unë të vij këtu sot si Kryeministër. Por, do të isha këtu sot edhe nëse nuk do të isha Kryeministër.
Si njëri prej atyre 300 vetëve që në 4 nëntor të 25 viteve më parë kam qenë këtu. Kam qenë këtu bashkë me disa miq. Jemi nisur shumë herët me tren nga Tirana pasi na kishte mbërritur fjala që Dom Simoni i madh do të bënte një meshë. Dhe nëse nuk do të kisha qenë këtu bashkë me 300 vetë të tjerë që janë dëshmitarë të asaj dite, nuk do të kisha pasur kurajën që të kujtoja një moment të asaj Meshe, sepse me siguri do të më merrnin për të marrë.
Kujtoj se atë ditë ka qenë një kohë shumë e vrenjtur, krejtësisht e mbuluar kjo varrezë nga retë, rrethuar matanë rrugës së hyrjes nga njerëz të sigurimit dhe policisë së asaj kohe dhe pikërisht gjatë fjalës së Dom Simonit, është hapur qielli dhe një rreze drite ka rënë mbi këto varreza.
Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që çau qiellin për të shoqëruar fjalën e Don Simonit ka qenë momenti i parë besoj unë për të gjithë ata që ishin këtu, i çlirimit nga ankthi dhe i një përjetimi të jashtëzakonshëm të së vërtetës se e shkuara ishte tretur në të shkuar dhe se e ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë këtu në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave.
“Do të ngjitem drejt altarit të tënd Zot, të Zotit që lumnon rininë time.”
Të dashur miq, këto janë fjalët që çelin në latinishten e katakombeve, Psalmin 42 mjeshtërisht të përkthyer nga hebraishtja prej Shën Jeronimit nga Iliria në shekullin e 4 dhe janë fjalët e para liturgjike që belbëzoi i paharruari Dom Simon Jubani, tek nisi të belbëzonte në një altar të improvizuar, por me një solemnitet të pakrahasueshëm me asnjë nga meshat solemne, meshën e parë në Shqipërinë, ku atë ditë këtu, rilindi Zoti.
25 vjet na ndajnë me atë ditë, pothuajse po aq sa ditë e ndanin nga viti i mbrapshtë 1967, gjatë të cilit kujton At Zef Pllumi meshtarët fshihnin nën altare, jo armët që trumbetonin nga propaganda e errësirës, por paramentet dhe enët e shenjta të kultit për ti ruajtur nga përdhosja e barbarisë.
Me ato paramente të mrekullueshëm që të kujtojnë portretet mbresëlënës të Shën Injacit të Lojolës apo të Shën Philip Nerit të veshur me pavdekësinë e piktorëve më të mëdhenj të Rilindjes u shfaq në 4 nëntor të viti 1990, këtu, në këto varreza figura e Dom Simon Jubanit.
Me të dhe së bashku me një popull të dendur dhe të mbledhur grusht njeri pas tjetrit si për të përballuar ankthin e momentit të parë, por të bashkuar në etjen për lirinë e ndërgjegjes u rishfaq dhe forca e shembullit, si ngadhënjim mbi shembullin e forcës, e cila për 45 vjet iu imponua këtij populli si i vetmi besim për tu adhuruar.
Brenda këtyre mureve, ndodhi një nga ato dukuri të rralla shpirtërore dhe morale, të cilat ne shqiptarët për fatin tonë të mirë apo të keq dukemi të destinuar ti përjetojmë në forma, jo të zakonshme dhe po ashtu, duke përjetuar në kohë, në dukje të zakonshme, të përjetojmë ndjesira që i kanë përjetuar njerëzit shumë e shumë kohë më parë.
Sikundër gjatë Meshës së shenjtë ripërtërihet në altar sakrifica përtej kohe e Krishtit mbi Kryq, atë që vetë Niçja e cilësonte si imazhin më sublim të njerëzimit, po ashtu si jashtë çdo parametri kohor u ripërtërit duke filluar nga këtu, në të gjithë Shqipërinë, një histori martirizimi unike, jo vetëm e një kishe por e gjithë një besimi dhe jo e një besimi të vetëm, por një vetëdije bashkëjetese rreth misterit të jetës dhe intimitetit të ndërgjegjes.
Sikundër krishtërimi në totalitarizmin perandorak, lindi në Europë, në katakombe, duke lëvruar farën e emancipimit dhe të lirisë së ndërgjegjes, po ashtu në këto varreza në këtë tempull, nën qiellin e hapur të Rrmajit, kisha nëpërmjet fjalës dhe liturgjisë, pedagoge të shpirtit u bë tharmi i emancipimit të një populli të tërë drejt lirisë dhe vetëvendosjes që pasoi në kohët pas meshës së 4 nëntorit.
Historia mund të shkruhet gjithsesi dhe sidoqoftë mbi historinë ata, të cilët e jetojnë kanë këndvështrime të ndryshme. Por unë hyj tek ata, që besoj se historia e ndryshimit të madh në Shqipëri, filloi atë ditë, këtu, dhe se pararendësi i parë i saj ishte Dom Simon Jubani.
Në imazhe dhe në simbole që janë ekonomia e fjalëve të pathëna dhe të pashqiptueshme , për nga forca që mbartin, çfarë ndodhi në fund të vitit ’90 në nëntor këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër përveçse këtu. Ky vend nuk është i paqtë dhe i amëshuar sepse është një varreze. Ky vend është shumë më tepër sesa një varrezë. Ky vend është një kopsht shpirtëror dhe një lëndinë jo për vaje, por për lutje në paqe dhe me shpresë.
Kapela, më në fund lumturisht e restauruar, falë përkushtimit në radhë të parë të Dioqezës së Shkodrës, punës së admirueshme të famullitarit Dom Artur Jakut, besnikërisë së diasporës shqiptare ne Amerikë, ku edhe ne patëm nderim e madh t’i japim një dorë, mban në kornizën e arkitraut të saj, fillimin e lutjes së përbotshme të rekuiemit: “Jepjau Zot, pushimin e pasosun”.
Me stilin e saj palladian e neoklasik, me kubenë diskrete dhe kolonat e hijshme toskane, kapela, e konceptuar nga një tjetër shkodran, Ludovik Zojzi, dishepull i At Gjergj Fishtës, përvizohet nga një harmoni dhe gjeometri estetike që i jep Rrmajit trajtat unike dhe për hir të vërtetës, në gjithë tërësinë e pasurisë së paluajtshme të kishës sonë nuk e ka një të dytë në Shqipëri, nuk ngjan me asgjë tjetër.
Çdo monument këtu në fushën e varrezave është më shumë sesa varri i dikujt, është si një stacion në historinë e kishës, në historinë e kulturës, në historinë e arteve dhe në historinë shpirtërore të Shkodrës, që është padyshim jo pjesë, por një pjesë pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbte kuptimin. Qoftë varri i njerëzve me famë si Kol Idromeni, Hil Mosi, si Pjetër Marubi e Preng Jakova, qoftë ai i familjeve të fisme shkodrane të Sumajve, Shirokajve, Jubanëve dhe deri tek varret e personave të panjohur kanë të gjitha sëbashku, një emërues, që është ai i kësaj lëndine shpirtërore, bëhen shoqi-shoq të barabartë në dinjitet me princër të kishës si ipeshkvi Karl Poten, Lazër Mjeda dhe Gaspër Thaçi.
I ndjeri dhe i paharruari Kol Kasmi, pinjolli i një prej familjeve më të shquar patrice të Shkodrës, brez pas brezi djep pas djepi klerikësh, prelatësh, diplomatësh, me zgjuari të pashoqe e mblodhi në këtë gjeometri kulture, një justifikim që është historik, që ia vendosi në tavolinë Enver Hoxhës, duke arritur ta ruajë të paprekur arkitekturën mbresëlënëse dhe çdo cep të kësaj varreze. Duke e ruajtur gati si monument kulture varrezën e Rrmajit, ai bëri që diktatura, e verbuar në tërbimin e vet kundër fesë, kundër besimit e besimtarëve, të bëhej padashje dhe pa e kuptuar mbrojtësja e kësaj pasurie, duke lënë pas dëshminë më therëse të barbarisë së saj.
Parafytyroni, nëse në atë orgji të pashembullt zjarri e hekuri, gjaku e flakësh, ku u hodhën në erë me dinamit 2000 e disa qindra kisha e kapela romane në Shqipëri, ku u dogjën rrugëve mbi 300 mijë libra fetarë dhe vepra të artit fetar, të ishte fshirë edhe ky truall, të ishte bërë rrafsh. Një rrafsh mbi të cilin, ajo çka e bëri legjendare meshën e 4 nëntorit do të ishte e pamundur.
Ne jemi shumë me fat që sot jemi këtu dhe në rrugëtimin për të hyrë në këtë shesh, janë aty të gjithë ata, të cilët janë në rrugën e lumturimit dhe të shenjtërimit dhe që për shkak të asaj barbarie e kanë vendosur Shqipërinë, këtë vend kaq të vogël, në krye të listës së të gjithë vendeve të botës së krishterë për numrin e martirëve. Dhe kur? Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar!
Më lejoni që t’ju them se ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka kemi në dorë, me mundësitë modeste, për të ndihmuar komunitetet e besimeve, që t’i rifitojnë qoftë në hijeshi, siç ka rifituar ky komunitet këtë kapelë, qoftë edhe në fakt të gjitha pasuritë që kemi trashëguar. Ky nuk është një promovim për kultet, nuk është një financim publik i një kulti. Këtu bëhet fjalë për diçka që e thotë në mënyrën më të shkëlqyer, një tribunë e publikuar në gazetën londineze The Times, në 6 korrik 1971, katër vjet pas ndalimit të fesë në Shqipëri dhe që mban firmën e emrave më të shquar të artit e të letrave të asaj kohe, shumë pak nga të cilët ishin katolikë; Vladimir Ashkenazy, Agatha Christie, Yehudi Menuhin, Robert Graves, Jorge Luis Borges, Cristina Campos, Giorgio De Chirico, Carl Theodore Dreyer, Benjamin Britten, Kenneth Clark, Lord Acton. Dhe dua ta citoj se çfarë shkruajnë në reagim të saj që ndodhi edhe këtu dhe që vinte në mbrojtje të asaj meshe që celebroi në latinisht Dom Simon Jubani, në vijimësi të pandërprerë me meshën e celebruar shekuj më parë prej Pal Ëngjëllit dhe Ndre Mjedës më pas, Marin Barletit dhe Gjergj Fishtës në kohë të ndryshme, Shtjefën Gjeçovit dhe Vinçens Prenushit, Pjetër Bogdanit e Luigj Bumçit. Ja çfarë thotë:
“Mesha katolike nuk ka frymëzuar vetëm mistikët, por edhe poetët, filozofët, muzikantët, arkitektët, piktorët dhe skulptorët në çdo vend e në çdo epokë. Prandaj ky rit i përket jo vetëm klerikëve katolikë dhe besimtarëve, por gjithë kulturës së përbotshme në civilizimin materialist dhe teknokratik në të cilin jetojmë, që i kanoset përditë e më shumë inteligjencës dhe jetës së shpirtit në shprehjen e saj krijuese më fillestare, fjala dhe veprat, do të ishte çnjerëzore të privohej njeriu nga kjo formë shprehjeje, pra, nga riti katolik që është një nga shfaqet më madhështorë të natyrës poetike të vetë njeriut.”
*Fjala e mbajtur sot ne Shkoder me rastin e 25 vjetorit te meshes se pare