Meta: Pse nuk arrestohet Balili?

“Partnerët tanë të SHBA-ve, por edhe të tjerë ndërkombëtarë, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij”

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka kërkuar dje nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Arsyeja ka të bëjë me mos arrestimin prej më shumë se një viti të Klement Balilit, një ish-zyrtar në Sarandë, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge.

Në letrën e tij, Meta shprehet se mosveprimi i institucioneve shqiptare për arrestimin e Klement Balilit ka bërë që partnerët kryesore strategjik të Shqipërisë të shprehin shqetësime për moszbatimin e ligjit. “Klement Balili, një person me probleme serioze me ligjin, pavarësisht akteve procedural apo akuzave, të përcjella apo të paraqitura nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare, ende nuk është ndaluar për t’iu nënshtruar drejtësisë. Partnerët tanë të SHBA, por edhe të tjerë ndërkombëtare, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare, sipas përcaktimeve të akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi”,- shkruan Ilir Meta.

Nisur nga mungesa e reagimit të institucioneve, si dhe nga pakënaqësitë e partnerëve të Shqipërisë, Meta kërkon nga kreu i shtetit Bujar Nishani mbledhjen e institucionit më të lartë të sigurisë në vend, që përbëhet nga titullarët kryesorë të shtetit dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë. “Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ju të thërrisni në një kohë sa më të shpejtë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla. Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impakt në sigurinë kombëtare”,- shkruan Meta në letrën e tij.

Balili është një personazh tashmë i njohur dhe në disa vende të BE. Në Greqi, Itali dhe Spanjë media e kanë etiketuar si “Eskobari i Ballkanit”. Kjo për shkak të sasive të mëdha të drogës që dyshohet se ka trafikuar dhe ngritjen e një rrjeti ndërkombëtar narko-trafiku në gjithë rajonin. Kërkesa fillestare për arrestimin e tij ka ardhur nga shteti grek dhe dosja e tij është një nga më voluminozet që i është dorëzuar drejtësisë shqiptare. Janë 10 mijë faqe materiale hetimore që flasin për një nga rrjetet më të organizuara të trafikut të drogës në Ballkan. Në hetimin e aktivitetit të tij kanë marrë pjesë policia greke, policia italiane si dhe Departamenti i Antidrogës në SHBA. Pavarësisht se, hetimet janë kryer nga disa shtete, përsëri Balili është i lirë dhe nuk është mundur të arrestohet.  Ai për më shumë se një vit ka arritur t’i ikë policisë, ndonëse dëshmi të të afërmve të tij flasin se deri në muajin dhjetor ishte në Shqipëri. Me absurde ishte situata e vitit të kaluar, teksa emri i tij përmendej në Greqi si narko-trafikanti më i madh, në Sarandë vijonte të kryente detyrën e Drejtorit të Transportit. Duket qartë se në gjithë këtë histori institucionet e shtetit shqiptar kanë dështuar të arrestojnë një nga të dyshuarit kryesor për trafik droge. Duket se lidhja e tij ka pasur koka të mëdha politike në Tiranë.

Të gjitha këto detaje gjatë muajve të fundit kanë shkaktuar stuhi politike dhe mediatike. Pothuaj gjithë zyrtarët e lartë të mazhorancës janë akuzuar nga PD si të lidhur direkt me Klement Balilin.  Diversionet nuk kanë munguar edhe brenda vetë mazhorancës për këtë çështje, ku Balili në media të caktuara etiketohej si i lidhur me PS-në apo LSI-në. Analistë të paguar nga deputetë biznesmenë të selisë rozë hidhnin shigjeta helmi mbi LSI-në për të mbuluar lidhjet e tij me persona VIP nga PS-ja.

Letra e dërguar dje nga Kryeparlamentari Ilir Meta, përveçse shpreh hapur një shqetësim të partnerëve ndërkombëtarë si SHBA dhe BE për moszbatimin e ligjit është dhe një qëndrim i qartë për distancimin e LSI-së nga fenomeni “Balili”. Disa herë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka kërkuar publikisht nga Policia e Shtetit arrestimin e Balilit, madje ka kritikuar institucionet për vonesat. Mesazhi i djeshëm i Ilir Metës ishte i qartë duke shkuar dhe një hap më tej sesa ministri Manjani. Ilir Meta mes rreshtave të letrës drejtuar Bujar Nishanit thotë se, Balili nuk arrestohet nga ministrat e PS-së. Nuk ka se çfarë të thotë më tepër një bashkëkryetar i maxhorancës. Meta dje e vuri gishtin mbi plagë, ndaj pritet reagimi i Kryeministrit Rama në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Nëse Edi Rama do sulmojë Ilir Metën se përse iu drejtua Presidentit të Republikës atëherë përfundimisht nuk ka më shpresa për koalicion PS-LSI. Kjo mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do jetë edhe lakmuesi për të parë se deri ku kanë shkuar Rama dhe Meta në sherrin e brendshëm mes tyre. Edhe pesë muaj janë zgjedhjet dhe nuk ka më kohë për shtrëngim duarsh. Të dy, Rama dhe Meta, duhet ta zgjidhin brenda janarit se raportin mes tyre për pas 18 qershorit. Një gjë duket e sigurt nga sondazhet: Pa LSI nuk krijohet qeveria pas zgjedhjeve. Ka një zgjidhje pa LSI, e cila është që Rama dhe Basha të bëjnë qeveri të përbashkët pas 18 qershorit.

Megjithatë, akoma ka shanse mes PS e LSI. Shpresa vdes e fundit, sidomos në të majtën shqiptare! Te e djathta ka plasur sherri përse nuk fut Lulzim Basha në listën e PD-së kryetarët e partive të vogla. Fatmirësisht ka të drejtë lideri i selisë blu.

Mos synohet që këto parti të vogla, bashkë me LIBRA e Ben Blushit, të krijojnë një Pol të Tretë politik me LSI?

SHKARKO APP