Edi Rama, nga shef i kryeredaktorëve, vetemërohet edhe kryeredaktor i ERTV

ERTV është një televizion online, i cili pasqyron aktivitetet e kryeministrit Rama dhe të qeverisjes. Nganjëherë edhe të Lulzim Bashës, por kur janë në ditë të mira Rama-Basha. Duhet pranuar se tashmë është shumë i njohur në publik dhe free. Prej pak javësh ka filluar edhe emisionin debat ku shkojnë të ftuar ministra, deputetë dhe drejtorë të rëndësishëm që vetdebatojnë me gazetarin e kryeministrit. Debati në ERTV është i “zjarrtë” dhe herë pas here vihen në vështirësi ministrat kur iu bëhet pyetja “Si po punon qeveria?”. Por ERTV ndiqet nga publiku online. Në drekë apo në darkë televizionet e licensuara private shpesh bëhen kopje e ERTV. Një profesionist që njeh facebook-n tashmë nuk ka kohë të presë deri në darkë lajmet e televizioneve private, pasi e shikon online se ç’thotë kryeministri apo vija politike e ditës së mazhorancës. Nëpër katunde, ku nuk ka internet, presin të shikojnë në televizione atë që ERTV e ka pasqyruar në kohë rekord. Në këtë pikë ERTV mbetet risi dhe konkurent i televizioneve kombëtare, për të cilat paguajmë taksa. Bile pritet që taksa e televizorit të rritet në muajt që vijnë, pasi kryeministri po miklon me një ligj të ri mediatik disa pronarë televizionesh, duke iua kaluar taksat e Televionit Publik edhe te mediat televizive private. Nuk janë shumë në një vit, por diku te 6-7 milion euro që shkojnë në xhepat e pronarëve nga taksa e re!

ERTV do ketë emision të ri lajmesh. Këtë e ka njoftuar vetë, personalisht, kryeministri Rama, i cili nga kjo e dielë do jetë edhe kryeredaktor lajmesh i pronës sës tij private ERTV.

Edi Rama përveç interesit politik personal dhe një prone të re mediatike si ERTV, me sa duket ka mallëngjimin e kohës kur punoi dikur në vitin 1995, në gazetën AKS, filial i KOHA JONË, dhe ku drejtor kishte të madhin Teodor Keko dhe kryeredaktor Andi Bejtjen. Asokohe Edi Rama ishte korrespodent i “Koha Jone” për Francën dhe njëkohësisht gazetar i gazetës kulturore AKS.

Dhe ishte gazetar-analist i mirë, thumbues dhe trazonte pushtetin e Saliut.

Nga kjo e dielë ERTV bëhet televizion kombëtar me program të regullt, me lajme dhe pas pak ditësh do të fillojë edhe me filma turq të dhuruar nga Erdogan, tamam si një televizion tjetër aleat i Ramës, që na ka mbushur me filma turq, aqsa edhe vetë një nga pronarët katolik ka filluar të thotë para vaktit të drekës apo darkës: Ishalla, Ejvallah!

ERTV fillon nga sot lajmet dhe mbani sytë hapur e veshët ngritur për të parë talentin e kryeministrit edhe si kryeredaktor lajmesh në ERTV. Një e mirë vjen nga kjo gjë, pasi nuk do ketë më interes kryeministri për të diktuar lajme nëpër televizione të tjera apo të dhënë kulla mu në qendër të Tiranës apo fshatra turistike si leje ndërtimi për pronarë mediash. Me këtë rast shpëton edhe Endri Fuga, që i ra bretku duke takuar veçmas pronarë mediash, si dhe duke rakorduar me njëmijë halle interesat e njerit pronar që të mos përplasen me të tjetrit.

Nga dje Edi Rama ka filluar të mendojë edhe për pas epokës kryeministrore. Dhe nuk e ka keq. ERTV po sfidon mediat televizive të vetë pushtetit. Të paktën do jetë kryeredaktor i vetvetes dhe jo krejt kryeredaktor i gjithë kryeredaktorëve të sotëm!

S.P.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155753141916523/

SHKARKO APP