Një Tiranë me kandidatë të majtë!
(Editoriali mund të shikohet më i plotë si video-editorial)
Një Tiranë me kandidatë të majtë!
-Shkruar nga Daniel Muçaku-
Tirana ka të regjistruar 6 kandidatë për kryetar bashkie. Në të vertetë të bën përshtypje se si ka mundësi që janë regjistruar kaq kandidatë të majtë, pra ndonëse shkruajnë se janë parti të djathta apo të qendrës, porse emrat janë krejt të majtë, bile ekstrakomunistë, disa!
Si rregull Tirana ka shumicë të majtë ndaj mundet një dorë djallëzore për të marrë copa mishi elektoral nga trupi i PS-së ka regjistruar çdo kandidat të mundshëm që vjen nga e majta, paçka se veshur me kostum të djathtë.
Natyrisht që sejcili ka të drejtën e tij të regjistrohet në cilën parti politike mendon, por kur shikon se sekretari i përgjithshëm i PD së Berishës, deputeti Flamur Noka ka firmosur deklaratën se mbështet kandidatin më komunist siç është Marko Dajti, kjo kuptohet se është bërë jo për përfaqësim, por për copëtim të PS-së në Tiranë.
Sot këtë e pohoi edhe vetë kandidati I PS-së për Tiranën, Erion Veliaj.
Ai tha: “E keni vënë re, në këtë fushatë, pothuajse të gjithë kandidatët janë të majtë? Kemi kandidatë nga Partia Socialiste, kemi një nga Partia Komuniste, kemi një nga një lëvizje marksiste, kemi një që hiqet sikur është me Saliun, por është regjistruar me LSI. E kishit menduar se një ditë, edhe Flamur Noka do regjistrohej si anëtar i Partisë Komuniste vetëm për të futur një kandidat në Tiranë?!”, shtoi Veliaj.
Fushata e kandidatëve kundërshtar sipas kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës po bëhet me ide të majta vetëm për disa vota.
“Ata e dinë që nuk fitojnë, megjithatë shansi për të marrë disa vota është duke folur majtas, duke menduar majtas, duke bërë fushatë majtas, duke u investuar në ide të majta. Kjo është një gjë e mirë për vendin tonë, se pothuajse e gjithë klasa politike është e orientuar në një diskutim majtas. Sot ti ke edhe të drejtën të marrësh të gjithë idetë e majta, madje të shkosh edhe më larg se Enveri dhe të thuash ‘do ta bëjmë çdo gjë falas’. Tortën falas, taksitë falas, avionët falas,” tha kryebashkiaku.
Natyrisht që loja elektorale e lejon këtë gjë, porse në fushatë ka programe, ka premtime, ka paraqitje platformash, por mbi të gjitha ka moral politik.
E thamë dhe me sipër që mbetet e drejtë e çdo deputeti të firmos se cilin kandidat do të mbështesë, porse të arrihet deri atje sa numri dy në PD-në e Berishës të firmosë për një kandidat për kryebashkiak, krejt të majtë ekstrem, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Sepse kjo do të thotë që nëse ke firmosur për të edhe duhet ta mbështesësh në fushatë, bile duhet të bësh thirrje se votoni Marko Dajtin dhe jo Belind Këlliçin.
Natyrisht që Flamur Noka nuk e ka kandiduar me kokën e tij, porse e kanë urdhëruar të tjerët për të firmosur.
Të gjitha bateritë e opozitës janë drejtuar në Tiranë kundër Erion Veliajt, i cili pas 14 majit ka të drejtë e Zotit të thotë se mposhta dyshen Berisha-Meta.