Panariti: Bujqësia jonë në krizë. Qeveria të ndalojë ushqimet e importuara
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti përmes një postimi në facebook i bën thirrje qeverisë që të ndalojë blerjen e ushqimeve të importuara pasi produktet e fshatit dhe të shqiptarëve kanë mbetur stok si pasojë e masave të marra nga pandemia e Covid-19.
Postimi i plotë i Edmond Panaritit:
Paratë e shtetit (tonat) për ushqimin e spitaleve, ushtrisë, forcave të rendit, azileve, kopshteve, qendrave sociale etj, të blejnë vetëm prodhimet e fermerit dhe prodhuesit shqiptar!
Ti ulim sadopak me ato që kemi në dorë dhe pa kosto dhimbjet e humbjeve të mëdha të fermerëve nga paraliza e tregtisë së prodhimit bujqësor nga pandemia, duke ia blerë ato me fondet tona!
Qeveria të miratojë me urgjencë një vendim ku të ndalohen blerjet me prokurim të ushqimeve të importuara nga jashtë për furnizim të ushtrisë, spitaleve, azileve dhe shumë institucioneve të tjera buxhetore pa blerë tërhequr dhe shpërndarë edhe kg apo litrin e fundit të prodhimit vendas.
Të rivendoset rimbursimi i TVSH, për prodhimin vendas që ai të mos shtypet padrejtësisht nga importi i favorizuar nga të gjitha anët.
Kjo është më minimalja që duhet bërë për të zbutur sadopak këtë krizë të bujqësisë dhe fshatit!