PD-LSI: Më 25 prill lahen hesapet përfundimisht me EDI RAMËN
Nga Mili Xhani
Kryeministri Edi Rama doli dje para mediave për të konfirmuar se nuk heq dorë nga ndryshimet në ligjin elektoral dhe se zgjedhjet e prillit 2021 do të zhvillohen sipas rregullave që i vendos ai. Njëlloj si në batutën e famshme të filmit për fëmijë, edhe Edi Rama tha se “topin e kam unë, penalltinë e gjuaj unë”. Pushtetin e ka ai dhe në këtë vend do të bëhet siç do dhe thotë ai. Deri më tani kështu ka ndodhur, duke kontrolluar çdo pushtet, përveç Presidentit. Bëri vet reformën në drejtësi, siç e donte Rilindja, miratoi vet ligjet që i duhen në Parlament, madje emëroi dhe opozitën false që i shkon sipas shijeve të tij. Po ashtu, koncesionet dhe çdo gjë që ka lidhje me pushtetin ka kaluar në duart e tij, siç nuk ka bërë asnjë kryeministër tjetër më parë. Në këtë listë mungonte vetëm Kushtetuta dhe ligji elektoral, që historikisht janë ndryshuar me konsensus. Tashmë i bëri dhe këto dhe në karrierën e tij nuk ka mbetur ndonjë hata tjetër pa u eksperimentuar në institucionet shtetërore.
Dje pasi sulmoi opozitën, gjysmën e konferencës për shtyp dhe më pas postimet në rrjetet sociale ia dedikoi sulmeve ndaj kreut të shtetit. Si politikan i konfliktit që është, kryeministri e kërkon sherrin me çdo shkak. Duket se përplasja dhe sulmet janë e vetmja mënyrë për të qenë në lojë, sipas tij. Nga ana tjetër, qëndrimet e kreut të shtetit për Kushtetutën, ligjet, integrimin dhe rrëzimi ligjor me dekrete i gjithë marrëzive të rilindjes e shqetëson jo pak kreun e qeverisë. Nëse do të ketë një hetim për shkeljet antikushtetuese të kësaj qeverie, ai do të nis pikërisht nga ligjet e kthyera, ku janë të shkruara e zeza mbi të bardhë që nga atentatet ndaj kushtetutës dhe deri të aferat e koncesioneve që kanë kaluar në Kuvend.
Pas 7 vitesh nuk ka ndonjë reformë për tu mburrur nga Rilindja. Bilanci ekonomik është më i keq sesa ditët me të zeza të çdo qeverisje të mëparshme. Koncesionet, oligarkët dhe ata që i vijnë vërdallë për lekë janë duke ja shtrënguar gjithnjë e më shumë hapësirat, aq sa nuk kuptohet nëse ky i mban në kontroll apo janë ata që tërheqin fijet e qeverisjes së tij. Qytetarëve nuk ka më asgjë çfarë t’u thotë dhe t’u premtojë. Pas dy mandatesh edhe thesi i fantazisë ka limit dhe askush se ha më sapunin për djathë edhe sikur ta ngjyjë bukur rilindja. Në këto kushte, sherri, sulmet personale, fyerjet dhe akuzat ndaj kreut të shtetit janë kthyer në fushatën e re të Edi Ramës. Në vitin 2013 Edi Rama thoshte “fajin e ka Saliu”, edhe për shiun që binte në Shkodër, ndërsa mandatin mandatin e dytë po e mbyll me sloganin “Fajin e ka Iliri”. Nëse ka ndonjë faj Presidenti aktual është që në vitin 2013 ndihmoi Edi Ramën të bëhej kryeministër. Arsyeja pse e ndihmoi lidhej me integrimin dhe negociatat e Shqipërisë. Për të njëjtat arsye sot Edi Rama duhet larguar, sepse pas gati 8 vitesh vendi është edhe më keq sesa Shqipëria e vitit 2013 kur PS mori pushtetin.
Në këto kohë fushate, ku programet kanë marrë fund dhe qëllimi i Rilindjes është si të vjedhim mandatin e tretë, akuzat ndaj Presidentit dhe krerëve të opozitës do të vijnë në doza edhe më të larta. Nga goja qeverisë do të dëgjojmë çudira dhe akuza të gatuara me zell të madh në kuzhinën e Rilindjes. Sharja dhe balta është i vetmi produkt që Rilindja ka investuar me shumicë në shoqëri. Kur duruan 7 vjet, shqiptarët do durojnë edhe 7 muaj. Qytetarët e dinë se më 25 prill 2021 do t’i lajnë hesapet me Edi Ramën dhe gjithë shpurën rilindase duke e dërguar në opozitë. Kjo e shqetson aq shumë Edi Ramën, sa po bën çdo krim elektoral në mënyrë që të mbetet në lojë.
Por asnjë shans nuk ka më Rilindja. Ikën përfundimisht.