Pikun e koronës nuk e dimë, por pikun e krizës ekonomike e kapi Rama
Nga Mili Xhani –
Teksa presim prej gati pesë javësh pikun e pandemisë së koronavirusit, shumë shpejt vendin e ka kapur piku i krizës ekonomike. Shoqatat e biznesit paralajmëruan se efektet e mbylljes totale të ekonomisë do t’i kushtojnë Shqipërisë 300 mijë vende pune. Nga një llogaritje e vetë biznesit humbjet ditore mesatarisht shkojnë në më shumë së 35-40 milionë euro. Këto shifra paraprake janë më shumë se një ‘97-të e dytë financiare për Shqipërinë. Pas humbjes së vendeve të punës dhe kolapsit ekonomik dihet se vjen dhe kaosi social. Shumë shtete llogarisin se do të hyjnë në recesione ekonomik dhe do të kenë probleme afatgjata. Në Shqipëri nuk flitet për recension, sepse nuk ishim mirë as para koronës. Shqipëria rrezikon depresioni ekonomik e social dhe një kaos që nuk menaxhohet as më ushtri në rrugë dhe as më kërcënime në Facebook.
Ngushëllimi i vetëm në këtë krizë të pashoqe që ka përfshirë vendin është shprehja standarde; nuk jemi vetëm ne kaq keq. Kryeministri thotë se është keq situata në Greqi, keq në Serbi, por ka dhe më keq si Italia, Spanja dhe Franca që po humbasin çdo ditë qindra dhe mijëra njerëz. Para se t’ua thotë kryeministri çfarë ndodhë në botë, shqiptarët e kanë parë para tij. “Luksi” i të qëndruarit pa punë në shtëpi u jep mundësi që të informohen po aq, në mos më mirë se kryeministri se çfarë ndodhë rreth e rrotull dhe shumë larg këtej.
E teksa shohin lajmet që ndjek dhe kryeministri, shqiptarët mësojnë se në SHBA njerëzit jo vetëm nuk u mbyllën në shtëpi si në burg, por dhe ata që janë të detyruar të lënë punën marrin 500 dollarë në javë nga qeveria. Në Kanada, në vend të kërcënimeve me burg kryeministri del çdo javë dhe informon qytetarët se do të paguhen nga 2 mijë dollarë dhe vendet e punës nuk rrezikohen. Në Australi qeveria vendosi për krizën 16 % të prodhimit të brendshëm bruto dhe çdo punëtor do të marrë 1500 dollarë. Italia, shteti më i goditur nga koronavirusi në gjithë botën ka miratuar dy paketa ekonomike, ku jo vetëm paguan punëtorët, por synon të shpëtojë ekonominë dhe biznesin.
Nëse shifrat e ekonomive kryesore të botës ngjajnë surreale për Shqipërinë le të hedhim sytë në rajon. Kosova, shteti i dytë shqiptar me njëmijë probleme, por paketën ekonomike të ndihmave e ka shumë herë më efektive dhe më të madhe sesa ne. Maqedonia e Veriut miratoi një paketë 600 milionë euro për biznesin dhe përballimin e krizës. Kryeministri Edi Rama thotë se ka venë në lëvizje 300 milionë euro, por as Arben Ahmetaj nuk ka qenë në gjendje ta shpjegojë se ku dhe si janë hedhur apo do hidhen këto para.
Një dyshim i madh zien se a janë vertet gjëndje këto para!
Skenarët për pandeminë e koronavirusit janë bërë si parashikimet e motit. Ekspertët nuk dinë të thonë nëse pikun e kemi ende para, po e kalojmë, apo siç pretendojnë disa të tjerë edhe mund ta kemi kaluar. Të vërtetën do e zbulojmë vetëm kur INSTAT të nxjerrë shifrat e vdekjeve në gjithë vendin dhe t’i krahasojmë me ato me periudhën e njëjtë të një viti më parë. Ndërsa me epideminë korona nuk dimë thuajse asgjë, kurse me epideminë ekonomisë jemi të bindur që qeveria Rama e kapi pikun e krizës brenda pak javësh. Shumica e bizneseve vijojnë të jenë mbyllur. Ato pak që janë lejuar të punojnë, për shkak të bllokimit total të lëvizjes, këtë muaj nuk kanë nxjerr as shpenzimet e taksave.
E vetmja arritje që na përplaset çdo ditë në fytyrë është se qeveria veproi mirë dhe i mbylli qytetarët brenda me shpejt se çdo shtet tjetër. Më shumë se arritje e qeverisë, kjo puna e mbylljes brenda lidhet me instiktin vetëmbrojtës të shqiptarëve. Qytetarët e dinë se çfarë shteti copë-copë kanë dhe zgjodhën më mirë të rrinë brenda se të provojnë të bien në duart e “mjekut” Edi Rama.