Po u prek 5 qershori, Rilindja digjet në Bulevard!
Rilindja humbet thellë. Kupola e qeverisë e dinë që nuk fitojnë nëse zgjedhjet janë të lira dhe demokratike. Nuk votohet Rilindja nga socialistët dhe sondazhet e rendisin PS në pikatën më të madhe të saj që nga themelimi.
Por nga u vjen shpresa për fitore? Pritshmëritë e PS janë që të shkatërrojnë marrëveshjen e 5 qershorit që u firmos me opozitën reale në rezidencën amerikane, pra të arrijnë fitoren e zgjedhjeve në tavolinë duke ndryshuar rregullat e lojës. Brenda natës ndryshuan ligjin themeltar të shtetit vetëm që të përçanin opozitën reale. Prej një muaji vijojnë të tallen dhe premtojnë lista të hapura, kur në fakt po i mbyllin më shumë sesa kanë qenë. Opozita u kërkon që për këto marrëzi të pyeten minimalisht ndërkombëtarët, por këtë herë Rilindja nuk njeh ambasadorët dhe as SHBA e BE. Për herë të parë në historinë e OSBE, kryetari i radhës i saj që është Edi Rama nuk pranon të pyesë OSBE/ODIHR për katrahurën që ka bërë me reformën zgjedhore. Asnjë shtet tjetër nuk ka rënë në nivelin që të mos njoh as institucionet ndërkombëtare që i ka rënë për pjesë të drejtojë. Gjithçka që ka bërë PS këto muaj me reformën zgjedhore nuk është ligjore dhe as morale, por ka vetëm një shpjegim logjik. Qëllimi është rrëzimi i marrëveshjes së 5 qershorit. Rrëzimi i kësaj marrëveshje e bën më të lehtë për PS vijimin me skanerin e vjedhjeve, manipulimeve dhe tjetërsimeve të votës së qytetarëve.
Por 5 qershori nuk është thjeshtë një copë letër e firmosur mes palëve si dhjetëra marrëveshje të tjera. Opozita hoqi dorë nga shumica e kërkesave të saj që kishin të bënin me qeverinë teknike dhe krijimin e një klime tjetër para zgjedhjeve. Shumica e aksionit opozitar të 7 viteve u la mënjanë për të arritur një marrëveshje që nuk ishte e lehtë mes palëve. Pasi u firmos, shkelja e njëanshme e saj nga Edi Rama dhe PS rrezikon të rikthejë në kaos gjithçka. Në këtë marrëveshje nuk ka asnjë pikë që flet për ndryshime në Kushtetutë dhe as për listat e hapura. Të dyja këto ndryshime po bëhen nga PS dhe pa marrë as formalisht mendimin e opozitës reale. Tallja dhe papërgjegjshmëria e një qeverie si kjo nuk mund të tolerohet pa fund. Numri i deputetëve në Kuvendin që realisht është ilegjitim nuk i jep asnjë të drejtë të shkatërrojë bazat ligjore të Republikës dhe çdo parim të konsensusit me kundërshtarët politikë. Opozita pranoi të ulej në negociata për hir të integrimit dhe stabilitetit të vendit, por nuk mund të vazhdojë pafundësisht të ndjek budallallëqet juridike të Rilindjes. Edhe në vendet autoritariste, ligjet zgjedhore dhe rregullat e lojës nuk ndryshojnë sa herë i teken partisë që qeverisë. Efektet që sjellin ndërhyje të tilla prodhojnë gjithmonë zgjedhje të deformuara dhe qeveri më të këqija. Në qeverisjen e keqe dhe demokracinë e deformuar e kemi që sot, nëse Rilindja bën ato që ka në mendje, me këto ndryshime do të kemi jo më demokraci, por një regjim të shpallur totalitar. Sepse ndalimi i koalicioneve dhe bunkerizimi i listave të zgjedhjeve janë vendime që merren vetëm nga qeveritë në prag të diktaturave.
Ndaj burime të besueshme pranë opozitës dhe sidomos LSI tregojnë se nëse Edi Rama prek 5 qershorin, atëhere populli do rrethojë kryeministrinë.
Edhe Presidenti Meta, i cili organizoi miting të madh me 2 mars të këtij viti ka deklaruar se nuk duhet kurrsesi të preket marrëveshja e 5 qershorit, pasi popullit i lind e drejta të marrë vetë fatet e tij.
Me sa duket Rilindja do ta kryejë edhe aktin e fundit për destabilizimin e vendit, por do të marrë një përgjigje të fortë dhe vendimtare. Rilindja këtë herë do digjet në flakë, thanë burimet pranë LSI./Mili Xhani/