Policia e Shtetit në polici të Pushtetit!

-Gjobiten një pensionist intelektual në Durrës me 50 milionë lekë, ndaj protestoi LSI dje para policisë për këtë gjobë, por mënjëherë policia kallzon penalisht dy vajza të reja, Elona Gurin dhe Kontjana Kuçin.

-Incidentet e ndodhura në Durrës dhe Elbasan po vënë seriozisht në pikëpyetje rolin që Policia e Shtetit do të ketë gjatë fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të 25 prillit. Gjatë këtyre ditëve janë dy raste të fundit që flasin shumë për mënyrën sesi kryeministri po keqpërdor policinë për hakmarrje politike. I gjithë pushteti është turr drejt një partie opozitare, LSI-së, nga frika se ajo do jetë shkatërruesja e endrrës kryeministore për mandat të tretë.

Dy ditë më parë, policia gjobiti kryetarit të shoqatës “Durrësi Autokton” Abdullah Deliallisi, vetëm sepse organizoi takimin në nderim të figurës së arkeologut të njohur durrsak, Vangjel Toçe. Takimi ku ishte i fituar kreu i shtetit, Ilir Meta dhe personalitete të tjera, u mbajt në Pallatin e Kulturës në Durrës, duke respektuar maksimalisht rregullat kundër pandemisë. Gjatë nisjes së ceremonisë, policia me urdhër politik i vendosi Abdullah Deliallisi gjobën prej 50 milionë lekësh. Intelektuali Deliallisi është një pensionist me një pension që nuk kalon shifrën e 25-30 mijë lekëve të reja. Gjoba është e paligjshme, sepse nuk ka shkelje rregullash në një sallë të madhe për shfaqje me 10-15 persona, që janë të gjithë më maska dhe në distancë. Megjithatë policia i ka vendosur gjobë një pensionistit si të ishte pronar biznesi apo pronar i Pallatit të Kulturës dhe jo një qytetar me të ardhura modeste. Vendosja e kësaj gjobe dhe sjellja e policisë ndaj një intelektuali të qytetit ka sjellë revoltë dhe pakënaqësi të durrsakëve. Paraditen e djeshme, të rinj dhe të reja zhvilluan një tubim protestë para Drejtorisë së Policisë së Durrësit, për të kundërshtuar gjobën dhe sjelljen flagrante të policisë. Në tubim merrnin pjesë dhe drejtues të degës së LSI në këtë qytet. Në videot e shpërndara në internet nga qytetarët shihet se tubimi është krejtësisht paqësor. Të rinj dhe të reja kanë respektuar në mënyrë rigoroze rregullat e pandemisë duke ruajtur distancën dhe të gjithë më maska. Parullat e hedhura shprehnin atë që qytetarët ndjenin për gjobat: “Ndal dhunës ndaj intelektualëve dhe qytetarisë së Durrësit”, “50 milionë lekë gjobë ndaj një pensionisti intelektual, ndërsa oligarkëve “Rilindja” u jep tendera dhe koncensione”, “50 milionë lekë gjobë vërini oligarkëve tuaj jo intelektualëve të Durrësit”. Në tubim nuk u shënua asnjë incident dhe nuk pati as provokimin më të vogël ndaj forcave të rendit. Megjithatë, pak orë pas tubimit drejtuesit e policisë në Durrës kanë nisur procedim penal ndaj drejtueses së LSI në Qarkun e Durrësit, Elona Guri dhe ndaj kryetares së LSI në këtë qytet, Kontjana Kuçi. Arsyeja e procedimit është organizim i tubimeve të paligjshme dhe thyerje e rregullave të pandemisë. Sado që policia të thotë se ka zbatuar ligjin për ndalimin e tubimeve, askush nuk e vë në diskutim se procedimi ndaj dy vajzave të LSI në Durrës është tërësisht politik. Akti i Policisë së Shtetit nuk ka lidhje me ligjin dhe me pandeminë. Nëse do të ishte çështja e pandemisë, vetëm dje në Skrapar, Tiranë, Durrës dhe çdo qytete policia duhet të kishte ndaluar dhe masakruar me gjoba gjithë qeverinë dhe deputetët e PS që bënin takim. Fotot në rrjetet sociale tregojnë se shkeljet ligjore nga zyrtarët e PS janë me flagrante dhe kriminale për shëndetin e njerëzve. Ndaj argumenti që po gjobiten dhe ndëshkohen penalisht se kanë shkelur rregullat është një justifikim idiot që nuk e besojnë as policët që kanë firmosur procesverbalet. Është një akt politik që nuk i bën nder Policisë së Shteti dhe aq më pak Qeverisë dhe Partisë Socialiste. Përdorja e mjeteve të tilla për fushatë elektorale ngre një shqetësim edhe më të madh për fatin e këtyre zgjedhjeve. Policia, nga një garantuese e rendit publik dhe zbatimit të ligjit, po kthehet në ushtare të rilindjes dhe provokatore e incidenteve. Kjo polici që vepron me SMS politike nga ministra dhe deputetët dhe që shkel ligjin në mënyrë flagrante vë në pikëpyetje rolin e saj para zgjedhjeve dhe ditën e votimeve. Institucionet ndërkombëtare që monitorojnë procesin duhet të flasin sa nuk është vonë për aktet e rrezikshme që po kryhen me uniformat e shtetit dhe keqpërdorimin e tyre. Këto ditë nuk kemi parë Policinë e Shtetit në detyrë, por policinë e pushtetit që përgjon, gjobit dhe ndëshkon vetëm kundërshtarët politikë.

Kështu ka ndodhur në vitin 1996 policia nga Berisha dhe e mori përgjigjen në vitin 1997. Po kështu e përdori Fatos Nano në vitin 2005 dhe dihet se ku ndodhet Nano sot; po e përdor edhe Edi Rama, porse me 26 prill e pas drejtuesit e policisë së shtetit do mbeten në udhë të madhe sepse kryeministri do ti braktisë.

Drejtuesit do përgjigjen para drejtësisë, Rama mund të ikë në Paris.

Mili Xhani

SHKARKO APP