Politika ndizet, bandat kriminale marrin zemër!
Bandat dhe elementët kriminalë janë vënë në lëvizje. Me ndezjen e luftës politike dhe me rritjen e dozave sherrndjellëse të kryeministrit edhe grupet kriminale kanë gjetur punë!
Tritol në Vlorë, prapë tritol në Tiranë, Durrës, Shkodër e përsëri në Vlorë. Vrasje në Elbasan dhe snajpera në Tiranë. Pistoleta dhe armë automatike kudo.
Një shoqëri në depresion ekonomik dhe psikik prej varfërisë.
Së fundi lajmërohet se edhe te banesa e gazetarit të news24, Elidon Ndreka u vendos tritol.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se një automjet është filmuar nga një kamera sigurie, nga i cili ka zbritur një person dhe ka vendosur lenden plasëse dhe më pas është larguar.
“Në pjesën e jashtme të hyrjes së banesës së shtetasit E.N, ka shpërthyer një sasi e vogël dyshohet lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Vlora ka dy lajme kryesore; vrasje apo tritol si dhe vizitat e kryeministrit!
E gjitha vjen nga situata ekonomike dhe rrënimi i një shoqërie në tranzicion 30-vjeçar, duke mos patur mundësinë të bëhet shtet normal demokratik.
Politika zihet, shahet dhe parlamenti si një bandë voton largimin nga BE.
Kryeministri nuk merret me detyrat e Ekzekutivit, por bllofon dhe sulmon këdo që nuk futet në trenin e tij rilindas.
Dhe krimi ngrohet, del në rrugë natën. Më vonë do fillojë në mes të ditës të ndezë armët dhe tritolin!