Presidenti: Grabitja në Rinas, e papranueshme për një vend anëtar të NATO

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka reaguar për grabitjen e ndodhur dje në Rinas, ku persona të armatosur hynë në Aeroportin e vetëm kombëtar dhe vodhën 10 milionë euro.

Kreu i shtetit deklaroi se kjo ngjarje është e papranueshme për një vend anëtar të NATO. “Nisur nga ngjarja tronditëse në Aeroportin Nënë Tereza ndej detyrimin për këtë komunikim me qytetarët. Përsëritja e kësaj ngjarje brenda një objekti të sigurisë së veçantë është e papranueshme. Si vend anëtar i NATO kemi detyrimin të garantojmë standardin me të lartë të sigurisë”,- tha Presidenti.

Kreu i shtetit bëri të ditur se një vit më parë, më 16 maj 2018, ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku është diskutuar çështja e sigurisë dhe në Aeroportin e Rinasit. Presidenti tha se në këtë takim janë lënë detyra konkrete ndaj institucioneve për të marrë masa, lidhur me rëndësinë e veçantë që ka Aeroporti “Nënë Tereza” për sigurinë kombëtare.

Duke e cilësuar ngjarjen e djeshme si një ngjarje të rëndë për sigurinë kombëtare, Presidenti kërkoi nga të gjitha institucionet që të zbardhin ngjarjen, të zbulojnë autorët, si dhe të gjejnë sasinë e parave që janë grabitur.

Nga ana tjetër, në cilësinë e kreut të shtetit dhe Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti Meta kërkoi që institucionet të nxjerrin përgjegjësitë ligjore dhe penale të gjithë institucioneve dhe zyrtarëve që nuk kanë marrë masa për parandalimin e kësaj ngjarje të përsëritur.

VIDEO/Deklarata e Presidentit Ilir Meta 

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/341583259800102/

Deklarata e Presidentit të Republikës, lidhur me ngjarjen e djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”

 Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë si President i Republikës për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me ju dhe opinionin publik.

Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë.

Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale.  Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 16 maj 2018, sikurse dhe ju e dini, kam organizuar mbledhjen e këtij Këshilli me objekt “Gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile, sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtjen kibernetike”.

 Pika 3 e axhendës së këtij takimi ishte “Raporti mbi sigurinë e infrastrukturave strategjike, portuale dhe aeroportuale, të RSH-së”.

Bazuar mbi raportet paraprake të përcjella nga institucionet përgjegjëse, kam ngritur në mënyrë të veçantë shqetësimin lidhur me:

  1. Mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në Aeroportin Nënë Tereza;
  2. Mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku.

Këto shqetësime u mbështetën dhe u evidentuan edhe nga përfaqësuesit e disa Institucioneve të rëndësishme në këtë mbledhje.

Në konkluzion të kësaj pike të axhendës u evidentua domosdoshmëria e trajtimit urgjent të të gjithë problematikës dhe zgjidhjen e saj përfundimtare.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 8 qershor 2018, sipas përgjegjësive përkatëse.

Ndër këto detyra, është kërkuar ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, sikurse u evidentua edhe gjatë ngjarjes së grabitjes së parë brenda pistës së fluturimeve.

 Në këto kushte, si President i Republikës e konsideroj ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza” cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.

U kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve, si dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura.

Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të përsëritur.

Të nxirren dhe të evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarjeje të përsëritur, që mund të kishte patur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj.

Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën.

Nga ky moment Institucioni i Presidentit të Republikës, vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe konkluzioneve të tij.

Lexoni edhe…

VIDEO 3D, si ndodhi grabitja në Rinas 

SHKARKO APP