Presidenti Meta: Rama të jap mënjëherë dorëheqjen
Presidenti Ilir Meta deklaroi se kryeministri Edi Rama duhet të jap dorëheqjen për dëmet që i ka bërë vendit, me bllokimin e procesit të integrimit. Në një intervistë për gazetarin Çim Peka, Meta tha se Edi Rama duhet të largohet edhe për dëmin që i ka bërë Kosovës.
“Rama të japë menjëherë dorëheqjen për këtë dëm të madh që i ka bërë vendit, për këtë shkretim që i ka bërë Shqipërisë dhe për dëmtimin e çështjes së Kosovës”,– deklaroi kreu i shtetit.
Presidenti Ilir Meta, duke folur në Çim Peka LIVE, me tone të ashpra tha se interesi i tij nuk është opozita, por shqiptarët, që po e braktisin masivisht vendin.
“Nuk më intereson opozita, më interesojnë shqiptarët. Unë i kam thënë opozitës që të mos djegin mandatet se Rama është i papërgjegjshëm dhe nuk do reflektojë. Kjo është çështje për jetë a vdekje. O ka Shqipëri me shqiptarë, o banori më i ri në Shqipëri mbetet Ilir Meta,” tha Meta. Ai risolli në vëmendje një koment të bërë dikur në Çim Peka LIVE, kur kërcënoi këdo që prek zgjedhjet, kriminelë apo jo. “Kam thënë se kush prek zgjedhjet, do ketë probleme të paimagjinueshme. Duan të bëhen kurban për pushtetin e Ramës? Le të bëhen. Në rast se Rama respekton 5 Qershorin, Ilir Meta do të vazhdojë punën e tij,” tha Meta. Ai sërish e sfidoi Ramën për debat, duke thënë se ai shpif te ndërkombëtarët. “Mashtron ndërkombëtarët duke i thënë se Ylli Ndroqi pas sekuestrimit të pasurisë e bëri telefonatën e parë me Ilir Metën. Ai që bën këto fabrikime, siç ka bërë të gjitha në Shqipëri, që e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, shikoni se çfarë tha Komisioni i Venecias për këtë”,– tha Meta.
I pyetur se çfarë do të bëjë në rast të probleme në zgjedhjeve, ai tha: “Të siguroj që presidenti do bëjë të gjitha aktet që bën një president patriot”.
Presidenti Ilir Meta komentoi në Çim Peka LIVE dhënien e dekoratave, për të cilat është akuzuar nga kryeministri Edi Rama. “Është detyra e presidentit të nderojë heronjtë. Këta duan të zhbëjnë atdheun,” tha ai, duke theksuar se personazhet e dekoruar, nuk ishin nderuar më parë, duke përmendur Avni Rustemin. “Kam dekoruar pasi jam konsultuar me historianët dhe personalitet,” tha Meta. “Impakt elektoral qenkan dekoratat dhe nuk qenkan PPP-të dhe koncesionet prej miliardash?” ironizoi Meta. “Ata i shqetëson përpjekja për të investuar të atdhedashuria,” tha Meta. Ai u shpreh se pasojat për prishjen e 5 qershorit do jenë të paimagjinueshme.
“I kam bërë të gjitha aktet dhe do i bëj të gjitha. Do bëj të gjitha aktet e një presidenti patriot. Akti më i madh që do të bëj është që bashkë me popullin shqiptar do e fusim pas 25 prillit Shqipërinë në epokën e sundimit përmes referendumeve,” tha Meta. Presidenti tha se do e kthejë Kodin e ri Zgjedhor. I pyetur se çfarë do të bëjë nëse Rama e miraton sërish siç është, ai tha se “vullneti i mbetet popullit shqiptar”.