Prindërit, personalitete më të vlefshëm se gjithë të famshmit e botës!
Nga Kim Mehmeti-
Për çdo fëmijë prindërit e tij janë personalitete më të vlefshëm se të gjithë të famshmit e kësaj bote!
Deklarata e PIktorit se më parë duhet vaksinuar të moshuarit e famshëm e pastaj të tjerët të çon të thuash se mirë që nuk i është kujtuar të shkojë më tej dhe të propozojë që më parë të vaksinohen të shkolluarit e të shëndoshët, e pastaj të pashkolluarit e ata me aftësi të kufizuara?
Po, është e vërtet se ka njerëz më pak e më shumë të famshëm e të vlefshëm për popullin e vet, por për familjarët nuk ka më të vlefshëm se të afërmit e tyre dhe andaj, jetët njerëzore janë të barabarta dhe shoqëritë humane njësoj kujdesen si për shëndetin e lypsarit ashtu edhe për atë të aktorit apo shkencëtarit të famshëm.
Sikur bota të kujdesej vetëm për të famshmit dhe të pasurit, atëherë për ne ballkanasit dhe për popujt e varfër, as që do vinte radha ndonjëherë të vaksinoheshin kundër virusit Covid19.
Por dihet, gjatë historisë njerëzore, jo se nuk ka pasur sundues që jetët njerëzore i kanë ndarë sipas famës së individit, sipas ngjyrës së lëkurës së njeriut, sipas përkatësia etnike, sipas fesë, apo sipas të metave që ua ka përcaktuar Zoti, andaj ka pasur raste kur disa grupe njerëzish janë lënë anësh, si tepricë që nuk i duhet njerëzimit.
Por ne që e kritikojmë Kryeministrin e Shqipërisë, bëjmë një gabim: e matim atë me peshoret që maten burrështetasit që interes të parë kanë atë të vendit dhe popullit që drejtojnë, e ndërkaq Piktori nuk bie në këtë kategori, por ai u takon sunduesve që besojnë se populli e vendi ekzistojnë vetëm që ata të kenë kënd ta sundojnë.
Pastaj nuk duhet të shtiremi thuajse nuk e dimë se Piktori u takon politikanëve frikacak që i tremben hijes së vet nga e shkuara, andaj posa u kanoset rreziku ta humbin pushtetin dhe grazhdin e shtetit, ata nisin të sillen si i sëmuri të cilin fillojnë ta lëshojnë ilaçet.