Protestuesit erdhën, dëgjuan, brohoriten dhe ikën!

Ditën e shtunë, datë 12 nentor, ishte protesta e PD dhe Opozitës, e cila duhet pranuar se ishte shumë e madhe në numër.

Kushdo që njeh realitetin shikon se zemërimi po rritet në popull ndaj qeverisë dhe se 9 vite qeverisje e kanë lodhur mazhorancën, e cila tashmë duket se po shtynë ditët vetëm se opozita akoma nuk është e përbashkuar.

E shtuna ishte një grumbullim zemërimi qytetar, ndonëse kishte organizim partiak. Aty kishte edhe socialistë që kishin dalë nga pakënaqësia ndaj qeverisë, ndonëse nuk vdisnin për Sali Berishën.

Në Bulevard kishin ardhur me vrap nga çdo cep i Shqipërisë sepse donin ta detyronin kryeministrin Rama të jepte dorëheqjen. Natyrisht që dorëheqja nuk jepet kollaj, nëse nuk qëndron në bulevard ditë-natë derisa qeveria të IKË.

Opozita tregoi se është e madhe në numër, por nuk dha shenja vendosmerie dhe përballje me pushtetin. Shumica e protestuesve kishin ardhur me taksi, furgonë, autobuza dhe një pjesë e tyre kishin zbritur nga malet edhe me karroca e gomerë vetëm se kishin besim se drejtuesit e opozitës do tju thonin se do të qëndrojnë në Bulevard ditë–natë derisa të largonin qeverinë e Edi Ramës.

Protestuesit erdhën, dëgjuan, brohoriten dhe ikën. Por nuk u kënaqën. Ata donin të kishte revoltë, zemërim dhe shfrim të halleve të tyre, siç ndodh fjala vjen në Greqi apo Francë.

Protestuesit ishin përgatitur të rrinin gjatë në Bulevard. Shumë prej tyre ishin falur me familjet e tyre, duke iu thënë se po shkojmë të përplasemi me qeverinë, e cila na ka marrë gjithçka ndaj nuk do të kthehemi në shtëpi derisa të largojmë këtë qeveri.

Moria e qytetarëve nga çdo kënd i Shqipërisë tregoi se njerëzit janë gati, por duhet dikush që i drejton të vendosë se nuk shpërndahemi në shtëpi. Mesa duket Berisha dhe Meta të kompleksuar nga disa ambasadorë nuk guxuan të lëshonin thirrjen në Bulevard.

Ndaj protesta tjetër e PD dhe Opozitës nuk do të jetë kaq e madhe sa kjo e ditës së shtunë. Njërëzit nuk vijnë sa herë i thërrasin drejtuesit; ata vijnë se e ndjejnë që duhet ardhur për të rrëzuar qeverinë e cila sipas tyre po u merr shpirtin.

Ata vijnë shumë si NUMËR, por vetëm një herë. Herën tjetër do ta ndjekin nga televizori protestën e miqve të tyre, pasi ata kanë lenë të gjitha hallet e tyre në mëshirë të fatit, duke harxhuar edhe ato lekë që iu kanë mbetur që të vijnë me makina në Tiranë dhe prapë të kthehen në shtëpi, pa asnjë shpresë; kjo nuk mund të ndodhë dy herë!

Ata vijnë aqsa ishin ditën e shtunë, bile edhe me shumë, vetëm nëse iu thuhet publikisht nga lidershipi opozitar se KETË HERË EJANI SE NUK IKIM NGA SHESHI PA DHËNË DORËHEQJEN QEVERIA.

Nuk duket se Berisha dhe Meta do të mund të kapërcejnë “ylberin” sepse kanë frikë ndërkombëtarët.

SHKARKO APP