Protestat e opozitës si paradë mode në Bulevard
(Ky editorial shikohet më i plotë si video)
Protestat e opozitës si paradë mode në Bulevard
-Na i vodhën votat!
-Na i blenë votat!- bërtasin Berisha dhe Meta.
-Mafia i vodhi zgjedhjet!-bërtasin në opozitë.
Ndërsa rrijnë e konstatojnë dhe vëzhgojnë liderët e kësaj opozite shqiptare, asgjë nuk bëjnë për të frymëzuar njerëzit të dalin dhe të rrëzojnë regjimin, sikurse thotë Berisha dhe Meta.
Kur thua se kemi regjim dhe mafie në pushtet, ata nuk mposhten me votë apo me deklarata shtypi në facebook apo nga selia e copëtuar e partisë demokratike në Tiranë.
Kur bërtet se do ta bllokojmë Edi Ramën dhe se nuk guxon që të prekë votën e lirë, duhet ta mbash fjalën dhe jo të dalësh pasi të humbësh duke u qarë se NA VODHI!
Berisha dhe Meta bëjnë namin në facebook, përditë, a thua se me këto deklarata po e bllokojnë Edi Ramën.
Përditë premtojnë se do të thërrasim popullin në protestë për tu përballur, por edhe kur caktojnë datën e protestës me shumë e kanë mendjen se kush do të flasë, si do të flasë dhe sa bukur ka krehur flokët që kur të dalë në podium të duket bukur në televizion.
Ka dëshmi gazetarësh të njohur që kanë parë para protestave të opozitës disa femra deputete të PD që shkojnë dhe pispillosen te parukeret përpara mitingut që të dalin bukur dhe nuk e kanë mendjen për tu përballur dhe konfliktuar me regjimin.
Kur shkon në protestë në përballje me krimin në pushtet, lideri apo kushdo që e quan drejtues opozite nuk e llogarit veten e tij; ai ose ajo e di se po shkon, por nuk duhet të mendojë nëse kthehet gjallë në shtëpi, kur deklaron se kemi një pushtet të mafies në fuqi.
Protestat deri tani kanë qenë zhgënjyese, bile është pak ti quash të tilla.
E keni parë se çfarë ndodh në Francë apo Greqi apo dhe në shtete të tjera demokratike kur dalin nga zemërimi apo varfëria në protesta?
E keni parë se si digjet Parisi i famshëm?!
Ndërkohë në Tiranë këtë të opozitës bëjnë sikur do të bëjnë namin kundër kryeministrit Edi Rama, por asgjë nuk kanë për të bërë, siç edhe nuk kanë bërë.
Protesta udhehiqet nga ata që kanë ideale, forcë, parime dhe rrezikojnë jetën e tyre. Protesta bëhet nga ata që nuk kanë para, e jo nga ata që kanë vila dhe prona të fshehura kudo.
Njerëzit janë të lodhur nga qeveria e Edi Ramës, ata nuk e duan kryeministrin, por nuk kanë aspak besim as tek liderët e tyre të Opozitës.
E kjo është fatkeqsia e madhe shqiptare.
E keqe qeveria, por jo të mirë dhe ata që drejtojnë këtë opozitë, e cila me shumë po kacafytet mes vetes se sa përballet me qeverinë.
Turp për të dyja palet, edhe për qeverinë, edhe për opozitën e shkatërruar!