Pushteti vjedh të dhënat personale të votuesve për t’i përdorur në votime
-Përveç shkeljes kushtetuese për të drejtën e votës së fshehtë, skandali ligjor në këtë fushatë të pushtetit lidhet me keqpërdorimin e të dhënave personale. Një sërë ligjesh janë që ndalojnë shpërndarjen e kontakteve personaleve dhe të dhënave private për qëllime politike apo dhe marketingu.
-Lumë denoncimesh nga qytetarët dhe mediat për manipulimet që po organizon PS me anë të zyrave të shtetit, sidomos me bashkitë. Administrata kërcënohet për vota, qytetarëve iu vidhen të dhënat personale dhe u bëhet shantazh për të votuar partinë në pushtet, ndërkohë bandat kanë nisur fushatën e terrorit dhe të blerjes së votave. Ka filluar dhurimi i miellit si dhe zarfat me euro në këmbim të votës.
Paniku i humbjes së zgjedhjeve ka bërë që Rilindja të vërë në zbatim të gjitha format e manipulimit të zgjedhjeve. Ditën e djeshme qindra qytetarë në Tiranë dhe qytete të tjera kanë denoncuar publikisht presionin e PS me anë të thirrjeve telefonike. Zyrtarë të PS-së marrin në telefon qytetarët duke u kërkuar të deklarojnë bindjen e tyre politike. Sipas denoncimeve që janë bërë dhe në redaksinë e “Koha Jonë”, operatorë telefonik që marrin nga zyrat e PS kërkojnë nga qytetarët deklarimin e votës dhe orientohen të votojnë partinë në pushtet. Përveç shkeljes kushtetuese për të drejtën e votës, skandali ligjor në këtë fushatë të PS lidhet me keqpërdorimin e të dhënave personale. Janë një sërë ligjesh që ndalojnë shpërndarjen e kontakteve personaleve dhe të dhënave private për qëllime politike apo dhe marketingu. Por zyrtarët e PS që marrin në telefon nuk e kanë problem të thonë se numrat e telefonit i kanë marrë nga KQZ. Zyrtarisht vetëm Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Gjendjes Civile janë institucionet që kanë numrat e telefonit të qytetarëve dhe të dhënat e tjera. Këto të dhëna që mbrohen me ligj dhe përbejnë thelbin e të drejtave të njeriut në një shtet normal, rezultojnë ti jenë dhënë PS-së në mënyrë flagrante. Kur dikush merr në telefon dhe të thotë se është nga PS, sigurisht që para kompjuterit ka adresën e banimit dhe çdo të dhënë tjetër personale. Sido që PS ta justifikojë këtë fushatë, ky është një presion dhe shantazh që i bëhet votuesit në emër të partisë në pushtet. Një rast edhe më flagrant u denoncua dje nga media lidhur me abuzimet e pushtetit vendor në funksion të votave. Zyrat e Partisë Socialiste rezultojnë se janë kthyer në zyra të gjendjes civile që marrin kartat e identitetit dhe bëjnë transferimin e votuesve nga një qendër votimi në një tjetër. Në Tiranë fenomeni është më i përhapur, por nuk mungojnë abuzime të tilla dhe në qytete të tjera, ku të gjitha bashkitë drejtohen nga Partia Socialiste. Veç manovrave me keqpërdorimin e institucioneve, në zyrat e administratës shtetërore ka nisur presioni hapur i drejtuesve ndaj vartësve për të votuar PS. Në shkelje totale të ligjeve për nëpunësin civil dhe administratën, shefa të institucioneve të rëndësishme të shtetit thërrasin punonjësit për tu kërkuar votat e tyre dhe të familjareve, duke u kërcënuar me largime nga puna nëse refuzojnë. Denoncimet e ditëve të fundit tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste sporadike, por për një fushatë manipulimi të mirëorganizuar dhe të drejtuar nga strukturat më të larta të Rilindjes. Manipulimet po bëhen në zyrat e shtetit, të cilat janë kthyer në zyra të PS dhe në shkelje flagrante të gjithë ligjeve të vendit dhe Kushtetutës. Denoncimet në media dhe presionet mbi administratën janë çështje që duhet të vënë në lëvizje me kohë Prokurorinë dhe gjithë institucionet e tjera. Kemi të bëjmë me një fushatë kriminale që tregon se shteti është kthyer në zyrë elektorale të partisë në pushtet dhe me kërcënime të patolerueshme ndaj administratës. Denoncimet e ditëve të fundit kanë nevojë për hetim. Hetimi pas zgjedhjeve nuk ka vlerë sepse krimi po kryhet sot dhe para syve të të gjithëve. Nëse prokuroria nuk vihet në lëvizje për çështje kaq publike, askush nuk beson se do të hetohen format e tjera të manipulimit të zgjedhjeve. Sepse gjatë kohës që po bëhet presion mbi administratën dhe përdoren zyrat e shtetit për të shantazhuar qytetarët, nëpër rrethe bandat e Rilindjes kanë kohë që kanë nisur fushatën duke terrorizuar dhe duke blerë vota.
Kjo që ka filluar nga pushteti duke marrë të gjitha të dhënat personale të votuesve është shkelje e hapur e të drejtave të Njeriut dhe dënohet. Por para se të dënohet duhet hetuar nga prokuroria.
Mili Xhani