Radio gjermane DW: Greqia zgjeron kufirin detar në Perëndim
Nga DW-
Parlamenti grek vendos për zgjerimin e territorit ujor të Greqisë në Detin Jon, nga gjashtë në dymbëdhjetë milje detare. Këtij hapi i parapriu një marrëveshje paraprake me Shqipërinë.
Të martën (19 janar) parlamenti në Athinë vendos mbi zonën-dymbëdhjetë-milje në Perëndim. Bëhet fjalë për detin midis Greqisë dhe Italisë. Miratimi i parlamentarëve konsiderohet i sigurt. Ministri i Jashtëm Nikos Dendias shpjegon se është një e drejtë e paprekshme e sovranitetit për Greqinë të zgjerojë ujërat e saj territoriale – kjo nuk kërkon negociata me vendet e tjera. Dendias do të dëshironte të shpallte edhe zonën dymbëdhjetë miljesh në Egje. Por vendi fqinj Turqia kërcënon me luftë. Ministri i brendshëm grek Jorgos Gerapetritis siguron parlamentarët se kufiri detar do të zgjerohet edhe në Egje “kur të jetë koha e duhur”. Fakti që Greqia tani po i zgjeron të drejtat e saj sovrane në Perëndim, gjashtë ditë para se të rinisin bisedimet me Turqinë, duhet të kuptohet si një mesazh edhe në drejtim të Ankarasë.
Sipas Konventës së KB për ligjet e detit nga viti 1982, çdo shtet në thelb lejohet të përcaktojë ujërat territoriale prej një maksimum prej 12 miljesh detare. Përveç kësaj, ekziston një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ) deri në 200 milje detare.
Përjashtim i rëndësishëm
Në rast të mosmarrëveshjeve apo caktimeve të paqarta të kufijve, palët e interesuara duhet të arrijnë marrëveshje dypalëshe. Juridiksioni i KB është instanca përfundimtare. Parimi duket i qartë, por zbatimi i tij në Egje nuk është i lehtë. Situata bëhet edhe më e vështirë për faktin se Turqia nuk e njeh Konventën e KB, e nuk e pranon as mendimin mbizotërues ligjor, sipas të cilit këto rregullore pasqyrojnë zakonin e zbatueshëm ndërkombëtar dhe si të tilla janë të detyrueshme edhe për ato vende që nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen e vitit 1982. Gjendja ështe e komplikuar. Kjo është arsyeja pse Greqia po zgjeron kufirin e saj detar në Detin Jon, në Perëndim të vendit.
Shqipëria si një ofrues zgjidhjesh
Ky hap nuk do të ishte i mundur nëse Greqia dhe Shqipëria nuk do të kishin mënjanuar mosmarrëveshjet e tyre. Ndonëse as këtu situata nuk është plotësisht e qartë. Sidoqoftë, pas një vizite në Tiranë në nëntor 2020, Ministri i Jashtëm Dendias deklaroi për herë të parë se të dy vendet fqinje janë të gatshme që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të sqarojë çdo mosmarrëveshje mbi vijën e kufirit detar. Në fillim të vitit 2021, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri një vizitë të shpejtë në Athinë. Duket se po funksionon.
Athina dhe Tirana kanë nënshkruar një marrëveshje mbi përcaktimin e Zonave të tyre Ekskluzive Ekonomike (AOZ) në vitin 2009, por kjo nuk u zbatua kurrë. Pse? “Marrëveshja Greko-Shqiptare u bazua në Konventën e KB për të Drejtën e Detit dhe ishte shembullore nga perspektivë e të drejtës ndërkombëtare”, thotë për DW Aristotelis Tziampiris, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Pireut. Por kompromisi me Athinën hasi asokohe në rezistencë të madhe politike në Tiranë, shton ai. Ishte Edi Rama ai, i cili i kritikoi rëndë udhëheqësit e opozitës në Tiranë për këto qëndrime. Pak më vonë, Gjykata e Lartë e Shqipërisë pezulloi marrëveshjen.
Tani duhet të shikojmë drejt të ardhmes. Sipas njoftimeve të medias, diplomacia e Greqisë po përpiqet të krijojë një raport më të ngushtë me presidentin shqiptar Ilir Meta, i cili është tepër skeptik për afrimin e mundshëm. Koha po kalon, beson Angelos Syrigos, profesor i shkencave politike dhe deputet i partisë konservatore në pushtet ND në Athinë. “Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në Shqipëri në prill, e deri atëherë duhet të bëhet kërkesa jonë e përbashkët për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, paralajmëron Syrigos në një shkrim të tij për gazetën Kathimerini. Eksperti politik Tziampiris e sheh këtë si një çështje jo tepër të rëndë. Ai nuk dëshiron të ndërhyjë në politikën e brendshme shqiptare. E të shkosh në GJND është një çështje që kërkon kohë. “Është e vështirë të thuash nëse do të kemi qartësi deri nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Por unë nuk mendoj se çështjet e tilla do të vendosin zgjedhjet”, beson shkencëtari politik.
Prova gjenerale për një kompromis me Turqinë
Në parim ka pak pika grindjeje midis Greqisë dhe Shqipërisë në këtë fushë. Më së shumti arkipelagu i vogël përreth grupit të ishujve të vogël Erikousses, në veri të Korfuzit, mund të shkaktojnë kokëçarje. Bëhet fjalë për një total prej njëmbëdhjetë ishujsh dhe zona të vogla në Detin Jon. Në verën e vitit 2015, kryeministri i atëhershëm Alexis Tsipras kaloi madje edhe pushimet atje. Sipas kërkimit nga e përjavshmja e Athinës Proto Thema, marrëveshja Greko-Shqiptare e vitit 2009 rregullon statusin e arkipelagut më shumë në frymën e Greqisë. Mbetet të shihet, nëse pala shqiptare do ta marrë si shkas që të kërkojë përmirësime.
Në çdo rast, është e rëndësishme të mos merret një vendim që shkakton mosmarrëveshje dhe që çështja të zgjidhet përmes një gjykimi detyruesi ligjor, thotë studiuesi i shkencave politike Tziampiris. Ai beson se kjo do të lehtësonte gjithashtu edhe një zgjidhje të mundshme kompromisi në të ardhmen me Turqinë. Grekët shpresojnë se vendimi të jetë në favor të tyre – si në Detin Jon ashtu edhe në Detin Egje. Por kjo nuk është e sigurt. Si një shembull ai përmend marrëveshjen e fundit për mosmarrëveshjet rreth emrit me Maqedoninë e Veriut.