Rama deklaron: Nëse je shumë i gjatë nuk vjedh!

Dalja më e fundit televizive e Edi Ramës në emisionin “Opinion” nuk tërhoqi vëmendjen vetëm për sherrin me gazetarët. Mes shumë reagimeve emocionale të kreut të qeverisë, bëri përshtypje shprehja e tij se “është e vërtetuar se të gjatët nuk vjedhin”. Kjo ishte e vetmja shprehje që u mbajë mend në dy orë sulme, intimidime dhe deri fyerje ndaj gazetarëve. Deklarata ishte pjesë e qëndrimeve të Edi Ramës për të thënë se ai nuk është i korruptuar dhe nuk ka parë kurrë interesat personale në politikë. Garancia për pafajësinë e tij ndaj akuzave që opozita i bën çdo ditë për korrupsion është vetëm se ai është i gjatë 2 metra e 1 centimetër. Nuk e dimë se ku bazohet në të dhëna shkencore për një përfundim të tillë kryeministri, pasi në gjithë botën korrupsioni nuk matet me centimetra dhe as me metra. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç që është vetëm dy centimetra më i shkurtër se Edi Rama, ka plotë akuza për korrupsion në vendin e tij. Presidenti malazez Milo Gjukanovic në Mal të Zi nuk mbetet pas për nga gjatësia me Edi Ramën dhe as për akuzat që e shoqërojnë prej 30 vitesh për abuzime. Për të mos folur më pas për Aleksandër Llukashenkon në Bjellorusi, që vërtetë nuk është i gjatë sa Edi Rama, por mbetet një diktator dhe korruptiv.

Gjithsesi Edi Rama tha se në kriteret e vlerësimit për politikanët hajdutë dhe të korruptuar të merret për bazë gjatësia trupore! Deklarata e bërë në “Opinion” dukej dhe si një tezë “shkencore” që SPAK dhe reforma në drejtësi do të marrë parasysh. Tashmë prokurorët nuk do punojnë më me dosje dhe me hetime speciale, por me metër në dorë sa i gjatë është një zyrtar. Me qëndrimin e tij, Edi Rama ka hapur një problem të madh në Partinë Socialiste. Rilindasit e besojnë çdo gjë që thotë kryeministri dhe me ndarjen e korrupsionit në bazë të gjatësisë tashmë u duhet të gjejnë vjedhësit brenda partisë. Sepse që ka të korruptuar brenda radhëve të tyre kjo nuk vihej në dyshim. Mungonte vetëm metodologjia e përcaktimit dhe këtë problem e zgjidhi Edi Rama duke vendosur kritere të rrepta. Thënia e kryeministrit se nuk ka hajdutë të gjatë, ka shpallur automatikisht si të dyshuar gjithë ata me shtat të shkurtër ose mesatar brenda radhëve të Rilindjes. Ne nuk akuzojmë askënd, por kriteri i vendosur nga Edi Rama rendit si të dyshuar kryesor zëvendëskryeministrin Erion Braçe. Kjo jo vetëm për shkak të gjatësisë, por edhe faktin se ligjet, VKM-të dhe aktet e qeverisë në mungesë të Edi Ramës janë firmosen gjithmonë nga Erion Braçe. Zërat në qeverinë thonë se Rama “mungon” rastësisht gjithmonë kur kalojnë ligje problematike që nëse mund të jenë dhe objekt hetimesh, por sigurisht që këto duhet të jenë thashetheme rilindase. Për të qenë realist Erion Braçe mbetet një politikan 24 karatsh socialist dhe i pa akuzuar për korrupsion. Por me kriterin e vendosur nga Rama për gjatësinë, nuk është çudi që Erion Braçe të hetohet! Gjithmonë sipas kritereve që ka vendosur Edi Rama për korrupsionin, çështja e gjatësisë hap probleme për ish-kryeministrin e kohës së luftës  Bashkim Fino, një socialist i hershëm.

Pra Edi Rama tani ka vendosur një kriter të ri për të luftuar korrupsionin, gjatësinë fizike!/Mili Xhani/

 

SHKARKO APP