Kryeministri Rama fillon dhënien e dekoratave
Ditën e sotme kryeministri Edi Rama dekoroi me medaljen e “Yllit të Madh të Mirënjohjes Publike”, Nuncit Apostolik, Charles John Brown. Ceremonia solemne u zhvillua në Sallën e Hartave në Kryeministri. Dekorimi i një personaliteti është gjithmonë një akt që duhet vlerësuar. Por teksa kryeministri zhvillonte ceremoninë mondane, të gjithë duhet t’u jenë kujtuar deklaratat e bëra gjatë ditëve të fundit nga Edi Rama dhe ministrat e PS kundër dhënies së dekoratave nga kreu i shtetit.
Në Asamblenë e Partisë Socialiste, Edi Rama sulmoi Presidentin se përse po jep dekorata për heronj, dëshmorë të atdheut dhe personalitete të kulturës, artit dhe sportit.
Sot kryeministri ka filluar të japë vet dekorata duke treguar se edhe njëherë tjetër se ndryshe thotë dhe ndryshe bën.
Sipas ligjit, kryeministri mund të jap dy lloje medaljesh. E para është medalja “Mirënjohje publike”, e cila u jepet personaliteteve të shquara ose personaliteteve shqiptare dhe të huaja me kontribut të veçantë në fushën e veprimtarisë brenda përgjegjësisë së tyre.
E dyta është medalja e “Vlerësimit profesional”, e cila u jepet personaliteteve të shquara, në veprimtarinë profesionale, në fushën e veprimtarisë brenda përgjegjësisë së tyre.
Të drejtën e dhënies së këtyre dekoratave nuk e ka shfrytëzuar vetëm kryeministri, por në disa raste dhe ministra të tjerë të qeverisë.