Rama, grusht shteti me Kodin Zgjedhor
Mazhoranca e Partisë Socialiste votoi dje, pa consensus me opozitën reale, ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Me 96 vota pro, në bashkëpunim me një tufë deputetësh të së ashtuquajturës opozitë parlamentare, Rilindja hodhi në kosh konsensusin politik, marrëveshjen e 5 qershorit, si dhe gjithë traditën 30 vjeçare për hartimin e rregullave të zgjedhjeve në bashkëpunim me gjithë aktorët politik. Ndryshimet ligjore që propozoi PS-ja dhe mënyra si u votuan ato, ku një pjesë e deputetëve të opozitës parlamentare e pranuan se “votat u blenë”, janë as më shumë dhe as më pak por një grusht shteti.
Me aktin e djeshëm Rilindja dhe kryeministri Edi Rama rrëzuan gjithë investimin e ndërkombëtar për të patur një reformë konsensuale. Marrëveshja e 5 qershorit u firmos në ambasadën e SHBA dhe kishte si qëllim që palët të shkonin në zgjedhje me rregulla loje të pranuara nga të gjithë. Dje, kryeministri nuk pyeti as për ndërkombëtarët dhe as për konsensus, por vendosi që ligjin e zgjedhjeve ta votojë, siç i intereson atij. Të gjitha reformat zgjedhore, të mira apo të këqija, kanë kaluar më parë nga miratimi i dy forcave kryesore politike. Sado probleme që kanë sjellë, reformat kanë pasur vulën e PD dhe PS. Vendimi i Ramës për të rrëzuar gjithë traditën e konsensusit është akti i fundit që shkatërron reformën, por dhe paralajmëron krizë të rëndë politike. Ndryshimet ligjore mbajnë vulën e Edi Ramës dhe sigurisht përgjegjësia për atë që do prodhojë kjo masakër ligjore do të jetë e tij.
Efekti i parë i ndryshimeve u dha dje nga ndërkombëtarët. Ambasadorët huaj në Tiranë që dolën garant për marrëveshjen e 5 qershorit janë më të zhgënjyerit, pas partive të opozitës reale. Ambasada e SHBA në Tiranë shprehu keqardhjen për votimin e ndryshimeve në Kuvend. Bile ambasadën amerikane kryeministri e poshtëroi hapur sepse ishte marrëveshje e firmosur në tokën amerikane, te rezidenca e ambasadores. Ajo doli garant, por Rama e preu në besë. Ndërsa Ambasada e BE, si rrallë herë në qëndrimet e saj, ishte e qartë kur deklaroi se ndryshimet e miratura nga PS nuk kanë lidhje me rekomandimet e BE dhe as më Kërkesat e Këshillit Europian. Kjo do të thotë se Rilindja ka miratuar ligje që dalin kundër kornizës së BE dhe pasojat do të lidhen direkt me procesin e integrimit. Ndërsa Ambasada e Britanisë së Madhe, e cila ishte pjesë e marrëveshjes politike, e deklaroi hapur se votimet e djeshme në Kuvend nuk kanë lidhje me Këshillin Politik dhe 5 qershorin.
Por duket se keqardhja e ndërkombëtarëve nuk i bëjnë më përshtypje Rilindjes. Një mazhorancë që voton ligje me deputetë të blerë, që ka nxjerrë nga shinat Kuvendin dhe Kushtetutën, nuk do të tërhiqet para deklaratave që vijnë pasi krimi kushtetues dhe ligjor është kryer. Dhe kjo nuk është hera e parë që Edi Rama sfidon ndërkombëtarët dhe opozitën. E bëri këtë kur detyroi opozitën të ikte nga Kuvendi, e bëri kur zhvilloi zgjedhje moniste më 30 qershor 2019 dhe vijon ta bëj çdo ditë me ligje që shkojnë kundër interesave të vendit. Zgjedhjet e fundit vendore moniste, kanë krijuar idenë te Rilindja se mund të mbajnë pushtetin edhe duke mos bërë fare zgjedhje. Ndaj dhe 25 prilli po programohet nga Rilindja si një datë ku nuk ka rëndësi se për kë e hedhin votën shqiptarët. Çdo ligj dhe vendim i PS po përgatit një farsë elektorale që i jep fitoren qeverisë në tavolinë. Ndaj vendimi i djeshëm i Kuvendit ilegjitim nuk është asgjë tjetër veçse grusht shteti, ku një Rilindje si një grup i strukturuar i malavitës, po tenton të marrë pushtetin në tavolinë. Në kushtet kur ligjet e zgjedhjeve bëhen vetëm për të favorizuar qeverinë, opozita nuk ka më kohë për të humbur. Me aktet antiligjore kjo qeveri ka sfiduar gjithë shqiptarët dhe grushtit të shtetit nuk mund t’i përgjigjesh me negociata dhe me deklarata.
Presidenti Ilir Meta tha dje se do të dalë në popull, për të kundërshtuar këtë grusht shteti. Edhe opozita pritet të shkundet nga momenti që akoma nuk po vendos për protesta masive.
Diktatorët nuk rrëzohen me facebook!
Mili Xhani