Rilindja drejt humbjes katastrofike, kurse LSI dhe PD kah fitores HISTORIKE

Nga Herion Mesi

Zv/kryeredaktor i KOHA JONE

Si rregull, pas 8 vitëve në pushtet, humbja është e padiskutueshme. Edhe sikur të kesh punuar mirë, përsëri firot nga pushteti janë më të mëdha se sa premtimet për së treti, pasi njerëzit janë lodhur me të njëjtën fytyrë 8 vite, ditë-natë. Kjo aksiomë rrjedh për një pushtet të pa inkriminuar, por që ka manifestuar paaftësi apo edhe korrupsion. Ndërsa për rastin e Rilindjes, që ka zaptuar selinë e socialistëve të thjeshtë si një sekt zhvatës, qytetarët mezi presin të shkojnë në votime dhe ta largojnë qeverisjen. Edhe mijëra socialistë të thjeshtë do shkojnë në votime, jo për të votuar PD, por për të larguar përvetsuesit e PS-së dhe për ta kthyer këtë parti në një parti të tyre. Kaq poshtë ka rënë PS-ja, aqsa tani iu duket “lule” koha e Fatos Nanos si demokraci në parti, ndonëse për Fatosin opozita dhe mediat flisnin si njeri i korruptuar deri në gen. Pra gropa ku ka rënë PS-ja e dikurshme, ku kishte fraksione, liri mendimi, debate, etj kërkon një shkundje të krejt bazës socialiste për ta rrëzuar këtë qeveri dhe për të rindërtuar vlerat mes tyre. Prandaj sondazhet tregojnë se një përqindje e madhe e socialistëve të zhgënjyer ose nuk do të shkojnë në votime ose do të votojnë çdo parti, por jo PS e Rilindjes.

Fakti i dytë pse Rilindja do pësojë humbje katastrofale lidhet me atë që Edi Rama po bën gjithçka të kundraligjshme dhe antikushtetuese, që ia vertetoi dhe Komisioni i Venecias, duke prekur Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, pa mirëkuptimin e opozitës reale PD dhe LSI. Nëse do ta kishte të sigurtë fitoren me 25 prill apo edhe nëse do merrte diku te 60 deputetë, Edi Rama kurrë nuk do të hynte në konfikt me BE dhe Komisionin e Venecias. Por ka informacione se del shumë keq në këto zgjedhje, ndaj po rropatet të marrë ndonjë deputet nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor. E megjithatë nëse takon vetë deputetë të PS-së apo edhe disa ministra historikë të saj, edhe ata thonë nën zë se do kemi humbje të rëndë.

Ndërkohë krahu tjetër, opozita, LSI dhe PD janë në rritje rë frikshme në elektorat. Sondazhet e nxjerrin diku mes 85 deri në 90 deputetë si opozitë, ndonëse ka entuziastë që e çojnë edhe në 100 deputetë. Por për të qenë realist LSI do të njohë rritje spektakolare, falë rinisë që e mbështet dhe po kandidon figura karizmatike nga ky brez rinor. Po kështu PD e ka mbledhur veten fort dhe e ka kuptuar se qeveri me Edi Ramën nuk mund të ketë siç u gënjyen njëherë në vitin 2017. Edi Paloka, numri dy në PD dhe një nga më të vjetrit në selinë blu, pas Sali Berishës, është tepër i vendosur se nuk do ketë asnjë shans për qeveri të përbashkët me Edi Ramën dhe PS. “Kjo tradhti nuk ka për të ndodhur”, thotë prerë Paloka.

Gjatë këtyre muajve LSI pothuaj e ka kaluar krejt territorin në takime, duke ngritur entuziazmin në popull, sidomos kjo u pa në votimet partiake të tyre, të cilat ndonëse ishin brenda partisë së tyre, porse radha e gjatë, edhe natën, tregoi hapur se sa të etur janë njerëzit për të votuar kundër Edi Ramës.

Data 25 prill do jetë Referendum Popullor. Presidenti Republikës, Ilir Meta ka kërkuar popullit ti kthejë votimet në Referendum. Dhe kështu do ndodhë me 25 prill.

Data 26 prill do jetë një ditë ku Rilindja ia ka mbathur dhe selia e PS-së do marrë frymë lirisht duke kaluar në opozitë për tu ringritur më vonë./Herion Mesi/

 

SHKARKO APP