Rilindja vodhi 7.2 miliardë euro
Nga Mili Xhani-
-Këto shifra janë të tmerrshme kur mendon se me 7.2 miliardë euro mund të ishin ndërtuar krejt rrugët e Shqipërisë nga fillimi, plus shkolla e spitale, pa harruar pensionet që do ishin trefishuar si dhe pagat e administratës do ishin dyfish. Me kaq euro vjedhje do kishim ndërtuar nga e para krejt rrjetin hekurudhor si në Gjermani apo Angli.
Sa herë që denoncohet për shpërdorime të fondeve publike dhe korrupsion në qeverisjen e tij, kryeministri Edi Rama thotë se këto janë akuza të sajuara nga opozita dhe media. Por tashmë nuk janë vetëm mediat dhe opozita ato që flasin për abuzime, por dhe institucionet e pavarura Kushtetuese. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit vlerëson se gjatë vitit 2019 dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit është 1.2 miliardë euro. Ndërkohë, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një analizë që u bën të dhënave të KLSH për 7 vitet e qeverisjes së Edi Ramës deklaron se shifra e abuzimeve qeveritare është 7.2 miliardë euro. Kjo do të thotë se në 7 vite qeverisje, dy buxhete të shtetit janë vjedhur ose shpërdorura. “1,2 mld euro dëmi ekonomik për 2019 dhe 7,2 mld në 7 vite! Praktikisht kanë vjedhur, grabitur e rrënuar dy buxhete shteti! Kjo është shifra zyrtare që KLSH pohon në raportet e saj. Fatkeqësisht nuk ndalen në asgjë dhe nuk kanë cipë kur vjedhin, viti 2019 ka qenë viti tërmetit dhe shifrat e 1.2 mld eurove vjedhje nga buxheti tregojnë më së miri se çfarë janë të aftë të bëjnë. Vetëm tek Prokurimet Publike dëmi ekonomik është gati 50% i totalit të tij”,- shprehet Tabaku në një postim në Facebook.
Denoncimi i shifrave kaq të mëdha mund të krijojë konfuzion të qytetarët, por për ta kuptuar me qartë vlerën e abuzimeve, mjafton të kujtojmë se vetëm buxheti për rindërtimin e gati 20 mijë banesave të prekura nga tërmeti është 1.5 miliardë euro. E thënë ndryshe, me paratë që janë vjedhur nga buxhetit i shtetit do të ishin rindërtuar pesë herë të gjitha shtëpitë e shkatërruara. Por si janë zhdukur 7. 2 miliardë euro në 7 vite? Gropa e parë e buxhetit janë koncesionet për oligarkët dhe miqtë e drejtuesve të Rilindjes. Çdo vite, taksat e shqiptarëve që mblidhen në buxhetin e shtetit ndahen për shërbimet, pagat, pensionet dhe investimet. Me ardhjen e Rilindjes, një zë më vete në buxhet e zënë koncesionet, ose lekët që do të ndahen mes 10-15 oligarkëve dhe drejtuesve të qeverisë. Zyrtarët e Rilindjes koncesionet i quajnë investime, por të gjithë e dinë se skema që aplikohet është vjedhja më flagrante ligjore që një qeveri bën me taksat e qytetarëve. Fatkeqësisht vjedhje të tilla zyrtarizohen dhe me akte ligjore në Parlament duke u dhënë imunitet si ministrave që firmosin grabitjen ashtu dhe oligarkëve që përfitojnë miliarda nga taksat.
Mënyra e dytë e vjedhjes së janë prokurorimet publike që bëjnë institucionet. Tenderat që kryejnë institucione të ministrive rezultojnë se janë gropa që ha pak nga pak buxhetin e shtetit. Pa asnjë kriter ligjor dhe në shkelje të procedurave për garën e bizneseve, institucione të dorës së dytë apo të tretë, vjedhin në mënyrë flagrante për investime që realisht janë fiktive.
Bashkë me abuzimet në taksa, tatime dhe shpërdorimet e zakonshme të financave, Rilindja ka arritur të thyejë rekordin e çdo qeverisje tjetër të mëparshme. 7.2 miliardë euro vjedhje dhe abuzime janë një shifër që do të kishte vënë pas hekurave drejtorë dhe ministra. Të gjitha abuzimet janë kryer me ligje speciale, tendera fiktivë dhe gjithmonë ka një zyrtarë që ka firmosur për grabitjen. Paratë nuk janë të qeverisë, por të qytetarëve të cilët paguajnë taksat dhe gjobat që qeveria u vendos rregullisht. Faktimi i abuzimeve në shifra të tilla marramendëse është një krim që duhet hetuar dhe ndëshkuar. Me këto shifra abuzimesh kuptohet se përse qeveria thotë se nuk ka para për investime në shëndetësi, arsim dhe ekonomik.
Këto shifra janë të tmerrshme kur mendon se me7.2 miliardë euro mund të ishin ndërtuar krejt rrugët e Shqipërisë nga fillimi, plus shkolla e spitale, pa harruar pensionet që do ishin trefishuar si dhe pagat e administratës do ishin dyfish. Me kaq euro vjedhje do kishim ndërtuar nga e para krejt rrjetin hekurudhor si në Gjermani apo Angli.
Mili Xhani