Ristani: Nëse s’ka revoltë qytetare ndaj bandës qeverisëse mund të ketë anarki dhe akte terrori
Ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, shprehet se sjellja e pushtetit si një strukturë banditeske e ka çuar shoqërinë shqiptare në dëshpërim. Në një reagim në facebook, Ristani shprehet se situata të tilla kur nuk sjellin reagim dhe revoltë qytetare, çojnë në anarki, kaos dhe akte terrori, të cilat janë të përshtatshme për banditë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.
“Për banditët hajdut, antiligji është me kosto më të ulët se zbatimi i ligjit. Antiligji ka çuar në dëshpërim shoqërinë shqiptare dhe dëshpërimi, mesa duket nuk po çon në revoltë popullore ndaj kësaj superstrukture banditeske.
Situata të tilla dëshpëruese kur nuk çojnë në revoltë mund të çojnë në anarki, kaos, akte terrori, terren ky i përshtatshëm dhe i nevojshëm për banditët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Beteja me të keqen vazhdon në ciklikën e saj, por fundi i kësaj superstrukture bande, është dukshëm drejt fundit”,- shkruan Arben Ristani në një postim në Facebook.