Si mund të vritet 25-vjeçari vetëm se theu orën policore?!
Kjo që ka ndodhur në mesnatë mbetet një tragjedi, por edhe një sinjal alarmi për policinë pasi në disa raste sillen brutalisht dhe jo si njerëz. Ndërsa vrasja që ka ndodhur se gjoja “personi ka patur një send të fortë në dukje si armë zjarri” është për të vënë duart në kokë.
Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit sot në Tiranë, ku një i riu është qëlluar me armë zjarri për vdekje nga policia.
Ngjarja ndodhi në zonën e Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:45. Burime zyrtare nga policia sqarojnë se 25-vjeçari me inicialet K.R. nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar madje është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri, ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur me pistoletën e shërbimit. I riu humbi jetën në spital.
Prokuroria duhet ta hetojë urgjent se kjo mbetet një ngjarje e rëndë.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 01:45 të mesnatës shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të tyre. Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë, përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap, duke hedhur në drejtim të tij një send të fortë, në dukje armë zjarri.
I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë, punonjësi i policisë e ka qëlluar me armë zjarri. Për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital. Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia. Prokurori ndodhet në vendngjarje duke ndjekur e monitoruar të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme , Ankesat në MB dhe Policia.
Punonjësi i policisë N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore. Ende vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.