Të shikojmë sa do ta zbatojë, Edi Rama porosinë amerikane për moskandidimin e personave problematikë
-Ambasadorja amerikane paralajmëroi dje partitë politike që të mos guxojnë të kandidojnë për deputetë emra të botës së krimit, të korruptuar apo persona që janë në listën e zezë të Uashingtonit. Mesazhi ishte me shumë për Rilindjen e Edi Ramës, pasi ajo parti ka dhënë fakte të kandidimit të emrave nga bota e krimit. Mbetet të shikohet se sa do mbahet parasysh qëndrimi amerikan.
Afrimi i zgjedhjeve të 25 prillit ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët për plotësimin e standardeve të tyre dhe garantimin e një procesi të rregullt. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila ishte dhe diplomatja kryesore që çoi partitë politike drejt marrëveshjes për Kodin Zgjedhor gjatë vitit të kaluar, është takuar dje me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerjen Lealba Pelinku, për të parë nga afër zbatimin konkret të ligjit elektoral. Pas takimit të diplomates amerikane, Ambasada e SHBA në një njoftim për mediat ka dhënë mesazhe të forta për të gjitha palët lidhur me procesin elektoral të 25 prillit. Ambasadorja e SHBA ka theksuar se krerët e partive politike kanë përgjegjësi për kandidatët për deputetët që vendosin në lista. “Ambasadorja nënvizoi nevojën për të zbatuar në kohë dhe mënyrën efikase identifikimit biometrik dhe masa të tjerë të nevojshme. Duke kujtuar letrën e saj të 31 gushtit drejtuar Kryetarëve të Partive, ajo kujtoi KQZ-në për përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që kandidatët të jenë në përputhje me ligjin shqiptar. Ajo nënvizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përmbushjen e kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar nga politikanë më të pastër”,- thuhet në deklaratën e Ambasadores së SHBA.
Në njoftim theksohet se Departamenti Amerikan i Shtetit ka një listë publike me emrat e politikanëve dhe zyrtarëve që janë shpallur non grata, duke nënkuptuar se ata nuk duhet të jenë në lisat e kandidatëve. “Ambasadorja përmendi se Sekretari Amerikan i Shtetit ka përcaktuar publikisht individë të caktuar për korrupsion madhor. Këto përcaktime mbeten në fuqi”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës. Në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit janë emrat e tre zyrtarëve që u është ndaluar hyrja në SHBA; ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, deputeti Tom Doshi dhe ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Apeli i ambasadores së SHBA për ndalimin e kandidatëve me precedentë penalë apo të akuzuar për korrupsion, vjen në momentin që të gjitha partitë politike janë përfshirë në procesin e caktimit të emrave. Ligji i dekriminalizimit largoi nga Parlamenti dhe drejtimi i bashkive një sërë emrash të Partisë Socialiste. Mesazhi i Ambasadores së SHBA duket se i drejtohet më tepër Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama, i cili jo vetëm ka kandiduar disa herë njerëz me precedentë penalë, por edhe i ka marrë në mbrojtje ata. Në zgjedhjet e mëparshme ka qenë problem fshehja e të kaluarës së kandidatëve dhe sidomos dënimet që ata që kanë marrë në shtete të ndryshme të BE. Në zgjedhjet e 25 prillit, rreziku mbetet që të vendosën kandidatë që me mandatin e deputetit të fshehin krimet dhe abuzimet që kanë bërë gjatë këtyre tetë viteve në pushtet. Apo dhe bëmat e tyre ndër vite. Shumica e kandidatëve të Rilindjes duke nisur nga bashkëpunëtorët e afërt të Edi Ramës rezultojnë në dosjet e përgjimeve për vjedhjen e votave në Dibër dhe në Durrës. Gjithashtu, ministra që Edi Rama u ka besuar fushatën në disa qarqe dhe deputetët të kësaj partie, janë denoncuar publikisht për shkelje ligjore dhe afera të dyshimta me paratë të buxhetit të shtetit. Fakti që prokuroria dhe SPAK nuk patën guximin të ndjekin penalisht ministra, deputetë dhe drejtorë të rëndësishëm të qeverisë që vodhën votat në zgjedhje e kaluara, nuk i bën ata të pafajshëm dhe as të parrezikshëm për standardin e zgjedhjeve. Përkundrazi, për shkak të zullumeve, vjedhjes së votave dhe korrupsionit që kanë kryer këto vite, këta deputetë, ministra dhe drejtorë janë më të rrezikshëm sesa një kandidat që ka fshehur dënimin për vjedhje para 20 vitesh në Itali. Këta njerëz të Rilindjes janë ata që do vjedhin, do blejnë votat dhe do kërcënojnë qytetarët.
Ndaj mesazhi amerikan shkon për të gjithë drejtuesit e partive politike, por veçanërisht ndaj PS e Edi Ramës.
Mbetet të shikohet se sa do ta zbatojnë ligjin dhe porosinë e SHBA. Ambasadorja amerikane foli qartë dje.
Mili Xhani