Televizionet, letër AMA-s: Detyroni operatorët rebelë të fikin sinjalet analoge

Disa nga televizionet kryesore në vend; Top Channel, Ora HD, Ora News, Vizion Plus, News 24, Report TV, i janë drejtuar ditën e sotme Autoritetit të Mediave Audiovizive me një ankesë urgjente lidhur me nisjen e transmetimeve dixhitale dhe fikjen e sinjalit analog.

Në letrën e tyre drejtuar AMA-s thuhet se pas vendimit të datës 30 shtator të këtij institucioni ata kanë vendosur të fikin sinjalet analoge në qarqet Tiranë dhe Durrës, por kjo gjë nuk është zbatuar nga operatorë të tjerë në treg.

Letra e plotë e televizioneve për AMA-ën:

E nderuar Autoriteti i Mediave Audiovizive (sa vijon edhe vetëm “AMA”), ju drejtohemi me këtë ankesë që ka karakter urgjent, për sa më poshtë vijon.

Në mbështetje të Ligjit nr. 97/2013 “Per Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, (i ndryshuar) dhe vendimeve te miratuara nga institucioni juaj për mbylljen e transmetimeve analoge dhe kalimin në transmetim digjital po ju parashtrojmë ankesën për sa më poshtë vijon:

Sipas Vendimit të miratuar së fundmi nga ana e Institucionit tuaj me nr. 119, datë 30.09.2019 për “Mbylljen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë dhe Durrës, në datën 01 tetor 2019’’ (publikuar në faqen ëeb të AMA-s, dhe që i bashkëlidhur kësaj ankese), nga ana jonë si OSHMA është proceduar me mbylljen e transmetimit analog dhe fillimin e tranmetimit digjital në respekt të këtij vendimi dhe Ligjit ”Per Mediat Audiovizive në Republikën ë Shqipërisë”.

Konstatohet me shqetësim, ashtu edhe si ju jeni në dijeni nga mbikqyrja e OSHMA – ve në treg, se operatorë te tjere si Klan, Klan Plus, ABC News, Shjiak Tv etj. nuk e kanë respektuar këtë vendim dhe vazhdojnë të transmetojnë përveç ne digjitale edhe në sinjal analog në qarqet Tiranë dhe Durrës. Ky transmetim po bëhet në kundërshtim me vendimin tuaj dhe, për më tepër, ka krijuar pabarazi dhe deformim të konkurrencës në treg.

Sjellim në vëmendjen tuaj që shkelje të tilla sanksionohen nga nenet 18, 19, 78, 88, 132, 133 të Ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën ë Shqipërisë” dhe, sipas të drejtave dhe rëndësisë së zgjatjes së kësaj situate, mund të jenë objekt i mosmarrëveshjeve që do të lindin dhe shqyrtohen nga organet gjyqësore kompetente për shpërblimet e dëmeve të shkaktuara.

Nisur nga sa më lart kërkojmë nga strukturat e AMA-s që të ndërmarrin masat e duhura operacionale dhe ligjore, për të detyruar këta operatore të zbatojne ligjin dhe të mos prishin ekuilibrat e tregut kaq sensibël si ai i mediave, duke mos u bërë palë me shkaktuesit e shkeljeve më sipër cituar. Në pritje të reagimit tuaj urojmë në zgjidhjen sa më shpejt të kësaj situate.

News 24

Report Tv

Top Channel

Vizion +

Ora HD

Ora News

SHKARKO APP