Video editorial i “Koha Jonë”/ Jepni dorën njëri-tjetrit, të paktën në Festë!

Jepni dorën njeri tjetrit, të paktën në Festë!

Nga Daniel Muçaku-

Festa e Pavarësisë është festa kryesore e një Kombi. Shqiptaria e ka me 28 Nentor, ditën kur plaku i Vlorës, Ismail Qemali ngrit flamurin në Vlorë duke shënuar shtetin e pavarur shqiptar.

Që nga 28 nentor 1912 e deri tani kanë kaluar 109 vite si shtet.

Në këtë festë përherë, ndër vite, kanë qenë udhëheqësit e vendit, sipas kohës dhe regjimit.

Sido që kanë shkuar punët apo raportet partiake e shtetrore në këtë ditë të shënuar, kurdoherë populli shikonte drejtuesit e tij bashkë, të qeshur dhe të gëzuar.

Natyrisht mund të kishte edhe hipokrizi në raportet mes tyre, por ama ishin bashkë duke shtërnguar dorën te vendi ku u ngrit Flamuri i Pavarësisë.

Edhe këtë vit, pikërisht sot, u zhvillua ceremonia zyrtare për ngritjen e Flamurit në Vlorë, me rastin e 28 Nentorit, Festës Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ajo që ra në sy të pranishmëve dhe krejt shqiptarëve që ndiqnin live ceremoninë ishte se Kryeministri Rama dhe Presidenti Meta nuk u takuan dhe as nuk folën me njeri tjetrin, bile protokolli shtetror me shumë interesohej që të mos kishin hapat e njejtë, pra që të mos afroheshin, se sa të ecte e mirëkordinuar ngritja e Flamurit dhe banda muzikore.

Natyrisht që protokolli shtetrore nuk vepron në kokën e tij, por ka marrë urdhër nga kryeministri.

Edhe kur kryeministri erdhi në sheshin e Flamurit, si rregull njerëzor dhe shtetor, duhej të jepte dorën presidentit të Republikës, kryeparlamentares Nikolla dhe kretarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Por Leli është shpallur armik në PS dhe nuk duhet takuar, qoftë edhe sa për sy e faqe, sic e do ana njerëzore dhe protokollare.

Mirë apo keq Dritan Leli është kryebashkiak dhe kishte shiritin e zyrtarit numër një të Vlorës. Por kryeministri  Rama nuk e takoi fare Dritan Lelin për shkak se nuk e njeh si kryebashkiak të PS-së që prej 6 muash. Bile pamjet live ishin tmersisht fyese, kur kryebashkiaku u drejtua ti jap dorën, kurse kryeministri I tregoi skapamenton e tij, duke e kaluar pa e takuar fare.

Ndërsa kryeparlamentarja Lindita Nikolla foli dhe qëndroi vetëm me kryeministrin Rama. Nga ana tjetër Presidenti Meta u mundua të ishte i barazlarguar me kryeministrin Rama, pavarësisht se u takua vetëm me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

Kryetari aktual i opozitës, Lulzim Basha në vend që të shkojë te vendi i Flamurit në Vlorë, ku ishin drejtuesit e shtetit, shkoi fare i vetëm te Varrezat Deshmorët e Kombit.

Edhe Basha nuk donte të takonte Ilir Metën dhe Edi Ramën.

Tjetër lojë kjo, e cila është një turp për shtetarët tanë.

Edhe pas 109 vitesh shtet të pavarur akoma nuk janë emancipuar dhe nuk njohin rregullat e një shteti normal, që kur është festa e Pavarësisë të gjithë duhet të jenë bashkë përpara Flamurit të Kombit.

Tragjikomike kjo situate, ku nga katër veta në Vlorë, dy prej tyre nuk flisnin me njeri- tjetrin. Ndërsa në Tiranë rrinte Lulzim Basha, duke ndjekur lajmet e Vlorës.

Nuk ka më turp për të gjithë këta që na drejtojnë shtetin, qeverinë, dhe opozitën!

Lum ky popull për udhëheqësit që ka mbi krye!

SHKARKO APP