Video editorial i ”Koha Jonë”: Merkel, Rama dhe Opozita!

Merkel, Rama dhe Opozita!

Nga Daniel Muçaku-

Sonte kancelarja gjermane Angela Merkel ndodhet në një vizitë zyrtare në Serbi, ku u prit nga presidenti serb Vuçiç.

Ndërsa nesër kancelarja gjermane do jetë në Tiranë. Ajo do pritet nga kryeministri Rama në Pallatin e Brigadave në kryeqytet me një ceremoni që vetëm Tirana zyrtare di se si ta bëjë.

Në Tiranë kancelarja gjermane Merkel ka mbledhur gjithë kryeministrat e Rajonit të Ballkanit Perëndimor, çka e përkthyer në gjuhën diplomatike tregon se Shqipëria ka një rritje të kredibilitetit të saj në Bashkimin Europian dhe në Botë.

Merkel vjen për here të dytë në Tiranë në vitet e qeverisjes së Edi Ramës.

Kancelarja gjermane Merkel mund edhe ti mblidhte në Beograd, atje ku sonte pritet nga presidenti serb. Apo edhe në Shkup, në Maqedoni.

Por fakti që ka caktuar Shqipërinë si vendi ku do vijnë nesër gjithë kryeministrat e Rajonit të Ballkanit Perëndimor tregon se Shqipëria ka rritje të prestigjit të saj në arenën ndërkombëtare.

Natyrisht për të qenë korrekt me ndergjegjen e gazetarit kjo shkon në kuotat politike të kryeministrit shqiptar Edi Rama, që ka ditur ti mbledhë këtu në Tiranë gjithë shefat e Ballkanit dhe kancelaren gjermane, ndonëse ka qenë Berlini zyrtar që ka vendosur.

Fakti që nesër në Tiranë kemi krejt shefat e qeverive dhe numrin një të Bashkimit Europian, pasi Gjermania mbetet lokomotiva që tërheq trenin e BE (natyrisht bashkë me Francën e madhe) tregon se Shqipëria po krijon besueshmëri europiane.

Edhe çështja e negociatave me BE tani po zbardhet gjithnjë e me shumë se mbetet një lojë mes shteteve europiane sa herë kanë zgjedhje politike në vendet e tyre duke përdorur Maqedoninë dhe Shqipërinë si “delen e zezë”, natyrisht për interesa të tyre elektorale.

Ardhja e Kancelares gjermane në Tiranë ka një mirëseardhje shqiptare, pasi ajo mbetet mikja më e mirë, pas SHBA.

Fakti që kancelarja gjermane nuk ka futur në protokoll zyrtar asnjë takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën e PD-së që e ka edhe parti simotër në Partitë Popullore Europiane tregon se diçka është thyer në besimin e saj në opozitën shqiptare e cila po shkërmoqet nga sherret brenda vetes. Po kështu si rregull kur vjen një drejtues i lartë i një vendit të huaj në Tiranë duhet të takojë edhe presidentin e Republikës.

Por as Ilir Metën nuk ka gjetur kohë ta takojë. Të paktën nga agjenda e publikuar nga kryeministria. Nuk e dijmë se çarë mund të ndodhë gjatë natës deri nesër, por deri tani Lulzim Basha dhe Ilir Meta nuk do kenë fatin të takojnë kancelaren gjermane Merkel.

Nesër do jetë trafik në rrugët e Tiranës, natyrisht nga delegacionet dhe se Tirana do jetë lajmi europian, por kjo në raport me rritjen e kredibilitetit të Shqipërisë do të përtypet nga qytetarët.

Më mirë një ditë trafik, që pasnesër të kemi udhë më të sigurtë drejt Bashkimit Europian!

 

 

 

SHKARKO APP