Video editorial i “Koha Jonë”: Rama luan pa ekip kundërshtar!
Rama luan pa ekip kundërshtar
Opozita, siç tregojnë faktet e fundit të bëra publike, ishte e përçarë që përpara fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit. Djallëzia e Kryetarit të PD-së, në akord përfekt me Edi Ramën, pasi edhe këshilltarët elektoralë i kishin izraelitë të së njëjtës kompani, arriti deri atje sa publikisht bënte betejë kundër Edi Ramës e ndërkohë luante lojën e përbashkët kundër partive të tjera. Rama dhe Basha detyruan krejt partitë politike tradicionale, ndonëse të vogla, që të humbisnin identitetin e tyre politik e të futeshin në siglën e PD-së, duke mos marrë as fondet nga KQZ.
Edi Rama e kontrollonte PD-në, siç edhe pohoi më së fundmi ish-kryeministri Berisha. Kryeministri Rama ndaj punonte ditë-natë, sepse duhej që ditën të mendonte për PS-në dhe natën për PD-në, duke qenë vetë regjizor për të dyja partitë.
Skema e të dyve ishte bashkëqeverisja, pra të mos kishte opozitë, që do të thotë vdekje e Demokracisë, por thjesht të thuhej publikisht se për nevojë të Integrimit të Shqipërisë duhej që PD të futej në qeveri me Edi Ramën.
Skema ishte brilante djallëzore, aq me tepër që kishte ndërkombëtarë që e sponsorizonin këtë skemë politike, e cila do të bënte që dyshja Rama-Basha të drejtonin vendin pa patur asnjë kundërshtar dhe as një media kundër. Ata që do të guxonin të dilnin kundër tyre do të falimentonin ose arrestoheshin në emër të Drejtësisë së Re.
Ndaj Edi Rama bërtiste përditë se kam shtrirë dorën për Lulzim Bashën dhe PD-në, gjoja në emër të Shqipërisë. Dhe përdornin deri diku modelin gjerman, por Gjermania ka demokraci të konsoliduar. Atje të guxosh të shkelësh ligjin duhet të mendosh burgun, kurse në Tiranë vjedh sa të duash pasi ai që vjedh më pak, arrestohet duke e nxjerrë në të gjitha mediat e qeverisë dhe të PD-së, në një kohë e me një regji.
Pas çarjes finale mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, siç u bë e ditur, PD-ja nuk vjen kurrë në pushtet nëse fiton krahu i Bashës, çka do të thotë se Edi Rama mund të vijojë edhe për 10 vite në krye të qeverisë.
Pas kësaj që ka ndodhur në PD, nëse ajo forcë politike nuk gjen forca për të gjetur liderin e vertetë se kush mund ta rikthejë në qeveri, do të përfundojë në një shoqatë.
Ndaj Edi Rama ndjehet i qetë dhe mbledh letrat e fletëve të votimit të hedhura nga Basha. Me një qetësi surrelase dhe skenar përfekt, kryeministrit i duhet të luajë në fushë pa ekip kundërshtarë.
Tani kryeministri duhet të bëjë gola edhe në portën e tij që të duket se ka ekip kundërshtar, por gjyqtari dhe sistemi VAR kontrollohen nga Edi Rama.
Ndaj duhet si një thirrje e madhe kombëtare që vendi ka nevojë për Opozitë e jo nga kjo opozitë që pamë këto ditë ku kryetari shet ish-kryetarin, duke ruajtur interesat e tij personale e jo të popullit opozitar.
Kryeministri Rama ka çdo pushtet, ndaj vetë bën aktorin, regjizorin, piktorin, asistentin, skenaristin, pra gjithçka.
Dhe e luan bukur filmin e tij të ideuar tash sa vite me një durim sorosian.