Video editorial i ”Koha Jonë”: Shkundja e PD-së nga Berisha!
Video editorial i ”Koha Jonë”: Shkundja e PD-së nga Berisha!
Shkundja e PD-së nga Berisha
Nga Daniel Muçaku-
Ish-kryeministri demokrat Berisha ka filluar turin drejt bazës demokrate me synimin e largimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së. Sondazhet tregojnë se mbi 70 përqind e anëtarsisë së Partisë Demokratike janë me ish-liderin demokrat. Në rrethe të veçanta ka informacione që Lulzim Bashën nuk do ta lejojnë të takojë bazën demokrate, bile do ta qëllojnë me vezë apo patate.
Kjo ka ndezur bazën demokrate pasi ishin si të fjetur prej humbjeve të njëpasnjëshme të Lulzim Bashës.
Për të qenë korrekt me fjalën, Lulzim Basha është drejtues i mirë, por jo karizmatik. Nuk krijon besim. Basha di të flasë shumë mirë anglisht, por akoma nuk ka prekur në shqip zemrat e demokratëve dhe pjesës gri të elektoratit shqiptar.
Por nisur edhe nga mirënjohja si një virtyt, ai duhej të jepte dorëheqjen si kryetar në PD dhe e kishte shlyer detyrimin për dhurimin e partisë falas nga Berisha në vitin 2013.
Basha vendosi kundër Berishës, sikurse e dijmë të gjithë. E tani do marrë të gjitha pasojat e përballjes me ish-liderin demokrat. Ai ka ditë që ruhet nga Garda dhe policia, por një drejtues politik që synon të marrë kurrë pushtetin, nëse nuk del mes popullit, ka dështuar. E që të dalë mes demokratëve do jetë më pasoja jetike për të sepse shumë demokratë kanë ndezur fitilat e urrejtjes kundër Bashës.
Nga ana tjetër Berisha ka vetëm një shans që ta mposht Lulzim Bashën dhe ta largojë nga PD-ja: Të hap partinë demokratike siç bëri në vitin 2005, kur u rikthye në pushtet. Bile ta hap me shumë se në vitin 2005, duke përbashkuar të gjithë demokratët; edhe të larguarit prej Bashës, por kryesisht me intelektualë dhe shoqëri civile.
Nuk ka asnjë person në PD që beson më se Lulzim Basha mund ti çojë në pushtet, veçse nëse futet në qeveri me Edi Ramën, por edhe në këtë rast një pjesë do përfitojnë kurse pjesa dërmuese e demokratëve nuk do kenë më as parti të tyre.
Ndaj Berisha po del në fushatë brenda partisë me synimin e vetëm që të largojë Lulzim Bashën dhe të hap partinë e të marrë pushtetin.
Kjo skemë, nëse Berisha ka forcë e energji, e frikëson kryeministrin Rama.
Ndërsa nëse fiton Basha duelin me Berishën do kemi një qeveri që ka gjithçka në dorë, tashmë edhe opozitën.
Deri dje Edi Rama kishte futur të gjitha pushtetet në dorë.
Tani kryeministri po luan mjeshtërisht që të fusë edhe PD-në krejtësisht nën kontroll.
Dhe më pas Edi Ramës do ti duhet të jetë paraditë në Qeveri, në drekë të selia e PS-së dhe darkën ta hajë në selinë blu.