Vota e Emigrantëve

(Ky editorial mund të shikohet si video, ndaj kliko)

Të gjithë premtojnë se në zgjedhjet politike të radhës emigrantët shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë vendit, do të kenë mundësinë të hedhin votën e tyre për të vendosur se kush duhet ta drejtojë Shqipërinë.

Ka premtuar Sali Berisha!

Ka premtuar Ilir Meta!

Ka premtuar Lulzim Basha!

Premton Edi Rama!

Por deri tani asgjë nuk duket në horizont.

Ka një vendim të gjykatës kushtetuese të Shqipërisë që në zgjedhjet e vitit 2025 të përgatitet infrastruktura për të votuar të gjithë emigrantët, kudo ata ndodhen.

Por pas këtij vendimi të gjykatës Kushtetuese duhet parlamenti dhe qeveria e me pas KQZ të miratojnë se si do të votojnë dhe garancinë e votës.

Ndërkohë kemi vetëm deklarata dhe premtime por asgjë nuk është bërë deri më tani, pavarësisht se pas një viti do të jemi në fushatë zgjedhore për parlamentin e ri.

Të gjithë kanë frikë nga vota e emigrantëve, por sidomos mazhoranca aktuale, sepse vota e tyre nuk mund të manipulohet apo blihet siç ndodh në territorin e Shqipërisë, kur me 100 apo 200 euro votuesi e ndërron mendjen në ditën e votimit duke e hedhur votën sipas atij që paguan me shumë.

Edi Rama ka realisht partinë me të madhe dhe më të organizuar ndër krejt partitë politike. Kurse PD ndodhet në një kaos të paparë sa aty po rrihen për vulën e jo për progamin e forcës politike.

Sido të jetë opozita, vota e emigrantëve mund të ndryshoje disi balancat politike në Shqipëri.

Ka parti të reja që mund të votohen, ndërkohë që partia demokratike po ha vetveten.

Vota e emigrantëve mund të ndryshojë qeverisjen, duke bërë që PS-ja të mos ketë shumicë qeverisëse e vetme, por të detyrohet me koalicion të drejtojë vendin, pasi që të rikthehet PD-ja në pushtet duket si nata me ditën.

Kjo është fatkeqsi për demokratët, por pa ikur dy politikanët që e bën lesh arapi partinë demokratike e që janë Lulzim Basha dhe Sali Berisha, ajo forcë politike tradicionale që ka bërë histori, zor  se e merr veten.

Emigrantët duhet të votojnë patjetër dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të gjenden artifica mashtruese se radhën tjetër do të votojnë, sepse edhe këtë herë nuk jemi gati.

Emigrantët jetojnë jashtë shtetit, por mendjen dhe zemrën e kanë në Atdhe.

Emigrantet janë pjesa më e mirë e Kombit tonë ndaj mos ua mohoni votën, zotërinjë politikanë!

SHKARKO APP