Yuri Kim, letër krerëve të partive: Mos vendosni kandidatë me rekorde kriminale
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim u ka dërguar dje një letër krerëve të partive politike në Shqipëri. Në mesazhin e saj, diplomatja e SHBA kërkon nga përfaqësuesit politikë që të shmangin nga listat e kandidatëve për deputetë personat me rekorde kriminale.
Diplomatja e SHBA shprehet se ligji i dekriminalizimit ka larguar nga bashkitë dhe Kuvendi zyrtarë të lartë që kanë pasur probleme me drejtësinë. Duke vlerësuar procesin e dekriminalizimit, Yuri Kim shprehet se SHBA do të vijojë të zbatojë sanksione ndaj zyrtarëve që janë përfshirë në vepra korruptive dhe kriminale.
Letra e ambasadores amerikane i është dërguar kryetarit të PS-së, Edi Rama, kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi.
Ambasadorja amerikane inkurajon të gjithë partitë të kontrollojnë kandidatët dhe të përzgjedhin vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë. “Ne inkurajojnë të gjithë partitë politike të përzgjedhin kandidatët dhe të nominojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë. Edhe pse përgjegjësia për të shkuarën kriminale është personale, liderët e partive politike duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të tyre”,- shkruan në letër Ambasadorja e SHBA.
(Në foto: Letra e ambasadores së SHBA për partitë politike)