Zoti ish-President Nishani, mos ia ço tortën me dorën tënde Edi Ramës në Surrel!

Sot Edi Rama bëri festën e tij të mandatit të tretë afër bustit të Skënderbeut.

Kryeministri, duke ditur nga burimet e tij në PD, tha se kërkon bashkëpunim me Lulzim Bashën apo me atë që do ta zëvëndësojë si kryetar. Pra e bëri diversionin, duke iu dhënë një dorë ndihme atyre që janë në PD kundër Bashës.

Nga ana tjetër Lulzim Basha doli nga selia e PD-së dhe tha prerë se ky regjim (Rama) fitoi duke blerë në miliona euro votat dhe realisht kështu ka ndodhur. Dhe shtoi se beteja nuk ka përfunduar kundër Edi Ramës dhe mafies në pushtet.

Realisht PD, ndonëse nuk fitoi, përsëri kapi kuota të larta në krahasim me vitin 2017. Mos harroni se opozita hyri në dy koalicione, gjë që duket se solli edhe bjerrje mandatesh deputeti.

Por nuk duroi ish-presidenti Nishani që është kryetar i këshillit kombëtar të PD dhe dihet si mik besnik i Sali Berishës ku sulmoi sonte, pikërisht në natën kur po feston Rilindja dhe kur “beu i Surrelit” e donte një tortë të madhe.

Dhe tortën ia çoi ish-presidenti Nishani që kërkon dorëheqjen e kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Ja se ç’shkroi ndër të tjera Bujar Nishani sonte në statusin e tij në facebook dhe që e morën me zjarr gjithë mediat afër qeverisë.

“Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal! Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh! Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike” – shkroi Bujar Nishani.

Po lindin disa pyetje:

Pse Bujar Nishani doli sonte dhe nuk priti ta debatonte së pari në zyrat e PD-së me drejtuesit e fushatës dhe me liderin e PD?

Pse Nishani thotë “humbësi i 4 betejave politike” dhe ku ka qenë me parë Nishani dhe ata që e nxitën sonte, pra pse nuk folën me parë, kur u hoq Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, Ridvan Bode,etj apo asokohe iu interesonte të mos ti kishin nëpër këmbë si konkurentë?

A e di zoti Nishani se kjo i jep shkrepsen Edi Ramës për ta hedhur zjarrin që nga Surreli ku po festohet sonte me shampanjë?

A është konsultuar Bujar Nishani me ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin Berisha për këtë status?

Pse nuk foli publikisht ish-presidenti në cilësinë e drejtuesit të Këshillit Kombëtar, kur u bënë listat për deputetë por flet sonte kur PS-ja bën festë?

Pse nuk kërkoi Nishani kur LSI po mendonte të dilte me vete, sepse shumë drejtues në selinë blu (nuk e dijmë saktësisht a ishte edhe Nishani) nuk donin koalicion me LSI-në se iu zinin vendet e deputetit?

A mendon Nishani se kjo e shkatërron PD-në në një luftë të brendshme dhe lë të qetë Edi Ramën të qeverisë si të dojë, kur 63 deputetë të opozitës do të duhet të përballen me mafien qeverisëse në sallën e Parlamentit?

 

https://arkiva.kohajone.com/nishani-basha-tenton-te-mbaje-peng-pd-ne-sot-duhej-te-merrte-pergjegjesine-e-deshtimit-te-tij-personal-prej-8-vitesh/

SHKARKO APP