Zv/ministri i Edi Ramës me “bidon benzine” dhe me shkrepse në dorë
“Eskobari i Ballkanit” Klement Balili shëtit i lirë. Nuk e arrestojnë. Thuhet se është diku në Tiranë. Pardje Ilir Meta në cilësinë e kryetarit të Parlamentit nisi letër Presidentit të Republikës Bujar Nishani për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me mosarrestimin prej disa muajve të “Eskobarit të Ballkanit”, Klement Balli, i shumëkërkuar nga Greqia, Italia dhe SHBA. Kapo i trafikut të drogës në Ballkan dhe me gjerë, që mbetet një shqetsim amerikan dhe jo vetëm, është një element që cënon dhe sigurinë kombetare. Përveç kësaj ka fakte se Balili gjendet në Shqipëri dhe ruhet nga pushtetarë të mos arrestohet, duke i krijuar siguri dhe informacion.
Ilir Meta fill pas zbritjes nga avioni Uashington-Tiranë ka shkruar letrën drejtuar Presidentit. Pra me letrën e publikuar Ilir Meta ka hedhur poshtë çdo akuzë të dalë nga “burimet eurolëshuese” të PS-së se gjoja mbrohet nga LSI. Ilir Meta ka kërkuar mbledhjen e Keshillit të Sigurisë dhe ka kërkuar arrestimin e Balilit. Por dikush po e mbron Balilin. Pse nuk e arrestojnë?
Tashmë Balili mbetet në derën e Kryeministrit dhe Ministrit të brendshëm, sepse ata kanë policinë në dorë, shërbimin informativ, etj dhe nuk e kanë arrestuar edhe kur e kishin në Tiranë. Kërkesa e kreut të kuvendit nuk duket se është pritur mirë nga një pjesë e PS-së. Si rregull duhej të dilte ministria e brendshme të thoshte diçka, nëse duhej të dilte zyrtarisht në publik. Por nxorën një zv/ministër drejtësie gjoja për interpretim të Kushtetutës në rastin Balili. Nuk besohet se zv/ministri doli pa një sms të Kryeministrit. Si rregull protokollar apo edhe politik duhej që pala qeveritare, përgjegjëse për mos arrestimin, të thoshte se jemi dakort me bashkëkryetarin e koalicionit Meta për t’u mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Por duket se u ka djegur shumë letra derisa nxorën për sfidë dhe fyerje, një zëvëndësministër për t’iu përgjigjur kryeparlamentarit dhe kryetarit të LSI. Si për të qenë edhe me ironik, dhe kërkues të sherrit, ka mundësi që Edi Rama ka urdhëruar një zëvëndës të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani të dal e të kundërshtojë me “fakte” se pse nuk mund të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, sipas letrës së kryeparlamentarit Meta.
Kryeministri si për sfidë ndaj Metës i ka nxjerrë përballë një zv/ministër dhe pikërisht një vartës të ministrit të LSI, Manjani. E para është fyese, e dyta tregon se PS-LSI nuk po gjejnë ura komunikimi që të përfundojnë bashkë në rrugën drejt 18 qershorit dhe e fundit parakupton se beteja, nëse nuk shkojnë bashkë Rama-Meta në zgjedhje, do të jetë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Nuk dihet se çfarë dreq këshilltarësh ka afër vetes kryeministri Rama, por me siguri nga beteja Meta-Rama, nëse ndodh, kjo shpurë këshilltarësh e biznesmenësh do përfitojnë momentalisht nga kryeministri, dhe pas qershorit do të turren, për fatin tonë të keq, prapë të pushteti i ri.
Dje PS-ja e hodhi një “bidon” zjarri me zv/ministrin e drejtësisë, ndërkohë që dikush duhej të kontribuonte në respektimin e kërkesës së kryeparlamentarit dhe të ngrihej krejt shteti deri në arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”. Arrestimi i tij është dhe një tregues partneriteti me SHBA. Ndaj sulmi me dorën e zv/ministrit ishte në thelb tentativë për të gjuajtur me gurë mbi dorën amerikane, e cila mbetet dora me e sigurtë në globë.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare do mblidhet. Ilir Meta do shkojë, Bujar Nishani e organizon, drejtues të tjerë të lartë të institucioneve kushtetuese do jenë në mbledhje. Edi Rama nëse nuk shkon atëhere koalicioni PS-LSI ka rënë që në këtë moment.
Duhet dikush ta këshillojë kryeministrin. Por jo ata “këshilltarë” që përfitojnë përherë nga pushtetet e radhës.
Spiten Prulli