Balluku inspekton punimet në aksin Qukës-Qafë Plloçë: Loti 3, përfundon në mars 2025
Zv/kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi këtë të mërkurë punimet në aksin Qukës-Qafë Plloçë.
Gjatë fjalës së saj, Balluku bëri me dije se problemi i financimit për këtë aks është tejkaluar dhe se puna po ecën në të tre kantieret.
“Ka shumë rëndësi që të tre kantieret po ecin ashtu siç duhet. Fakti që financimi tashmë është zgjidhur, ka kaluar të gjitha etapat edhe aprovimin e parlamentit do të thotë që nuk e kemi pengesën financiare. Sigurisht gjeologjia këtu do të vazhdojë të jetë sfiduese, pasi duket edhe vetë gjatë punës në këtë kantier, por fakti që në dy lotet e tjera ne kemi ecur me hapa të qëndrueshëm, se nuk është rasti për të thënë këtu me hapa të shpejtë, tregon që problematikat arrijnë të mitigohen”, tha Balluku.
Më tej, Balluku tha se sipas afateve parashikohet që loti i tretë të dorëzohet në muajin mars 2025, ndërsa dy segmentet e tjera, segmenti i parë dhe segmenti i dytë që ndodhen në një ecuri mbi 75% parashikohen që të dorëzohen në dhjetor të 2024.
“Kantieri i segmentit të tretë ka filluar nga puna dhe njëherë dhe tashmë me hapa të shpejtë pasi parashikohet që ky segment të dorëzohet në muajin mars 2025. Ndërkohë që dy segmentet e tjera, segmenti i parë dhe segmenti i dytë që ndodhen në një ecuri mbi 75% parashikohen që të dorëzohen në dhjetor të 2024”, u shpreh Balluku.