Interesat e bonove të thesarit shënojnë ulje, tërhiqen investitorët
Pas një rritje të pandërprerë që nga vera e këtij viti, për herë të dytë bonot e thesarit me maturim 12 mujor kanë shënuar rënie të normave të interesit.
Në ankandin e kësaj jave, bonot 1-vjeçare u shitën me normë mesatare interesi 5.47% rënie e dukshme krahasuar me atë të fundit të nëntorit, kur norma mesatare ishte 5.8%.Në ankandin e mesit të nëntorit bonot e thesarit shënuan edhe vlerën më të lartë prej 5.83%.
Bie në sy edhe se Qeveria nuk ka marrë dot gjithë sasinë e borxhit që ka kërkuar. Shuma e kërkuar ka qenë 16.3 miliardë lekë, afërisht 160 milionë dollarë, nga e cila është pranuar prej investitorëve shumë prej 10 miliardë lekësh apo afërisht 100 milionë dollarësh
.Që nga vera e këtij viti, norma e fitimit që ofrojnë letrat me vlerë për investitorët është dyfishuar. Kujtojmë që në verën e këtij viti bonot e thesarit me maturim 1 vjeçar shiteshin me normën mesatare të ponderuar 2.84%, ndërkohë që praktikisht yeldet janë rritur me më shumë se dyfish.Kjo solli ndryshimin e sjelljes për të gjitha aktorët e tregut.
Në ankandet e fundit kemi pasur prezencë të fortë të bankave në tregun e bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor, ndërkohë që është ulur prania e individëve. Për t’u sjellë në vëmendje është se Banka e Shqipëria rihapi së fundmi edhe sportelet e bonove të thesarit, ku u mundësohet individëve kryerja e veprimeve me instrumentet e borxhit qeveritar.
Ndërsa bankat u qëndruan më së shumti larg letrave me vlerë për gjithë gjysmën e parë të vitit, ato tashmë kanë ndryshuar tërësisht sjellje duke shtuar me rreth 130 milionë dollarë investimet, ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me individët, të cilët kanë ulur praninë në këtë treg. Sjellje ka ndryshuar edhe qeveria, e cila shtoi ndjeshëm huamarrjen gjatë tremujorit të tretë, në një kohë që gjatë dy tremujorëve të mëparshëm nuk arrinte të plotësonte dot shumat e kërkuara.