Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj: Shqipëria dhe Egjipti forcojnë bashkëpunimin ekonomik

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj drejtoi punimet e Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, Shkencor dhe Teknik Shqipëri–Egjipt, i cili u mbajt në Tiranë, në kuadër të Forumit të Biznesit, me qëllim rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe konsolidimin e dialogut institucional mes dy vendeve.

Delegacioni egjiptian u kryesua nga Rania A. Al-Mashat, Ministre e Planifikimit, Zhvillimit Ekonomik dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Arabe të Egjiptit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se Shqipëria dhe Egjipti ndajnë një histori të gjatë miqësie. Ibrahimaj nënvizoi se ky forum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt shndërrimit të kësaj miqësie në bashkëpunim konkret, me përfitime të prekshme për ekonomitë dhe qytetarët e të dy vendeve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Ibrahimaj deklaroi se prioritet kryesor mbetet nxitja e investimeve të huaja direkte dhe rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë tregtinë dhe investimet, turizmin dhe trashëgiminë kulturore, energjinë dhe ujin, bujqësinë, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, shëndetësinë dhe industrinë farmaceutike, trajnimin profesional, prokurimin publik, industrinë, strehimin dhe zhvillimin urban, punësimin, kulturën, rininë dhe sportin, teknologjinë e informacionit, aviacionin civil dhe transportin detar.

Ministrja vlerësoi gjithashtu bisedimet teknike të zhvilluara më 12–13 dhjetor, të koordinuara nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, të cilat krijuan bazën për harmonizimin e pozicioneve dhe përcaktimin e fushave prioritare të bashkëpunimit.

Një pikë e rëndësishme ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Forcimin e Bashkëpunimit dhe Shkëmbimin e Ekspertizës në Politikëbërjen Ekonomike Ndërkombëtare, si dhe Memorandumit të Mirëkuptimit mes AIDA dhe GAFI.

Ky memorandum synon të nxisë shkëmbimin e ekspertizës, programet e trajnimit, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe nismat e përbashkëta në mbështetje të inovacionit, digjitalizimit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Duke u ndalur në shifra, Ibrahimaj bëri të ditur se stoku i investimeve egjiptiane në Shqipëri ka arritur në rreth 7 milionë euro, ndërsa rreth 370 ndërmarrje me partnerë egjiptianë operojnë aktualisht në disa rajone të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin, Korçën, Shkodrën, Kukësin dhe Vlorën.

Sipas saj, rritja e eksporteve dhe potenciali për diversifikimin e tregtisë dëshmojnë mundësi reale për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Ministrja riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Egjiptin, vijimin e dialogut institucional dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për zbatimin e marrëveshjeve dhe nisjen e projekteve të përbashkëta gjatë vitit 2026, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për zhvillimin e Sesionit të Dytë të Komisionit të Përbashkët në Kajro.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?