Nga 1 shtatori nis paga e re, ministri Mazniku: Në 61 bashkitë e vendit rroga do të shkojë deri në 98 mijë lekë
Që nga 1 shtatori pagat do të unifikohen në 61 bashkitë e Shqipërisë. Rritja do të shkojë nga 40% deri në dyfishim për profesione të caktuara. ”E gjithë kjo reformë do të nisë nga fillimi i muajit shtator, pra 3 muajt e fundit të vitit 2024 do të jenë me nivelin e ri të pagave. Sigurisht që do të vijojë në vitin 2025 dhe më tej. Një arkitekt duhet të bëjë punën e arkitektit njësoj dhe duhet të paguhet njësoj, pasi ka bërë të njëjtën shkollë, ka të njëjtin kontribut si në Tiranë si në Këlcyrë. Një inxhinier duhet të jetë njësoj si në Fushë-Arrëz si në Durrës”, tha Arbjan Mazniku, ministër për Pushtetin Vendor.
Po ashtu Mazniku thotë se skema e re mbështetet në 2 kolona. ”Kolona e parë është ristrukturimi i stafeve të bashkive në mënyrën më eficente, që të ketë më pak staf aty ku ka më pak volum pune dhe më shumë staf aty ku ka më shumë volum pune. Nga ana tjetër pagat do të jenë horizontale, me nivele ngjashme, kjo do të thotë që disa bashki nuk mund të kenë 4 nivele specialistësh, mund të kenë 2 nivele specialistësh, por ato nivele specialistësh paguhen njëjtë në të gjitha bashkitë”, tha ministri.
Sa do të jetë paga, është pyetja që shtrojnë së pari kandidatët. Deri tani në bashki niveli i specialistit fillonte nga 30 mijë lekë dhe në bashki të vogla maksimumi ishte 37 mijë lekë. ”Tani niveli minimal i pagës për këtë kategori do të jetë 42 mijë dhe niveli maksimal do të jetë 70 mijë. Ndërsa Përgjegjës Sektori paga do të variojë nga 65 mijë deri në 98 mijë lekë”,-theksoi ministri.